Kërkimet nën rrënoja përveç forcave shqiptare të shpëtimit janë bazuar edhe tek qentë. Forcat e Sigurisë së Kosovës janë bërë pjesë e këtyre operacioneve edhe me ndihmën e qenve të kërkimit, të cilët Shqipëria nuk i ka si kapacitet në rastet e emergjencave.
Sikurse jeni duke e parë edhe në këto foto, qentë kërkojnë në rrënojat e objekteve të shkatërruara nga tërmeti, ku zonat më të prekura janë Thumana dhe Durrësi, ku janë shembur pallate, hotele, apo ndërtesa të tjera.
Qentë arrijnë të zbulojnë nëse ka njerëz nën rrënoja, ndërkohë që operacionet vështirësohen më shumë për shkak të mospërdorimit të mjeteve të rënda, sepse rrezikohen të dëmtohen trupa, apo persona të mbetur në themelet e godinave të shembura plotësisht apo pjesërisht.
Ndërkohë raportohet për 18 persona të vdekur dhe disa të tjerë raportohet se janë nën rrënoja.