Komisioneri Publik në KPA, Florian Ballhysa është shprehur se institucioni të cilin përfaqëson ka kërkuar të mbajë të njëjtin qëndrim që është mbajtur në vijimësi nga Kolegji për Xhezair Zaganjorin.
Komisioneri Publik vlerëson se pasuria dhe të ardhurat e pajustifikuara të kreuut të Gjykatës së lartë janë shkaqet e shkarkimit të Zaganjorit.
“Të gjitha shkaqet e ankimit i kanë kaluar barrën e provës subjektit të rivlerësimit. Edhe pas paraqitjes së akteve të tjera, subjekti i rivlerësimit nuk ia ka arritur të justifikojë të ardhurat e tij. Qëndrimi i Zaganjorit mbetet në nivel deklerativ duke mos provuar të kundërtën. Për katër pasuri të Zaganjorit justifikimet janë të pasakta dhe ta pamjaftueshme. Zaganjori nuk paraqiti asnjë provë për vlerën e shumës totale të një investimi prej 10 milionë e 700 mijë lekësh. Ai nuk paraqiti asnjë dokument për periudhën 1997 për të ardhurat nga qiraja” deklaroi Ballhysa.
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori e kishte kaluar Vettingun nga KPK por që Komisioneri Publik e kishte apeluar vendimin.
Deri më tani, KPA ka shkarkuar gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që janë apeluar, si ata që janë ankimuar nga KP, si ata që janë shkarkuar nga KPK, por që e kanë vetë-apeluar vendimin.
Nga ana e tij, Zaganjori është shprehur se nga komisioneri nuk ka asnjë gjetje që ta vërë në vështirësi duke shtuar se komentet e Komisionerit Publik janë të gabuara dhe të dëmshme.
“Nuk ka asnjë gjetje nga Komisioneri qe mua të më vërë në vështirësi. Dokumentet e rikërkuara nga Komisioneri Publik janë vlerësuar si të tepërt nga ana tij. Ato ishin prova që u kërkuan nga komisioneri por ai nuk i quajti të vlefshme. Nuk mund të lë pa përmendur se komentet e Komisionerit Publik janë të gabuara dhe të dëmshme”, tha Zaganjori.
(F.GJ/FAXWEB.AL)