Rrëfime tronditëse janë dhënë pas ngjarjes së rëndë shënuar orët e para të 1 janarit 2017 në Stamboll. Mjaft dëshmitarë janë përballur sy më sy me autorin e vrasjeve masive.
I tillë është edhe rasti i një dëshmitareje që arriti t’i shpëtojë sulmit terrorist në klubin e natës “Reina”. Ajo ka treguar se në momentin e sulmit, ishte duke festuar së bashku me bashkëshortin e saj.
“Isha me shpinë nga autori. Bashkëshorti më tha; “Shtrihu!” Dhe unë ashtu veprova, u shtriva. Burri im u shtri mbi mua dhe më mbrojti me trup. Mori 3 plumba. Pashë njerëz që u vranë para syve të mi, se si këputeshin në tokë. Nuk jam ngritur nga aty derisa erdhën forcat speciale e na nxorrën jashtë. Burrin e kam në spital.”, ka rrëfyer Sinem Uyanik.
Ndërsa Mehmet Dag, i cili ishte dëshmitar okular, është shprehur se ishte ballë për ballë me sulmuesin, të cilin e vuri re teksa qeshte.
“Kur ai hyri, ne nuk e dinim se çfarë ka ndodhur. Nisën krismat e armëve dhe pas pak dhe një shpërthim. Unë kisha kontakt sy me sy me të. Ai ishte duke na shikuar të gjithëve në turme dhe qeshte teksa qëllonte.”, ka treguar dëshmitari që ndodhej në klubin e natës me shoqërinë. (XH.A/SHUPLAKA)
Discussion about this post