Aulon Kalaja i ftuar në studion e “Fax News” ka folur për situatën politike në Shqipëri.
Gazetari gjatë fjalës së tij theksoi se nga debati brenda PD-së midis Bashës dhe Berishës i vetmi që përfiton është Edi Rama. Kalaja nuk kurseu kritikat ndaj qeverisë Rama e cila sipas tij kërkon “mjegull” për të vijuar e qetë me aferat korruptive.
“Në PD nuk ka qëndrime në të njëjtën linjë. Në PD ka një klimë jo të mirë dhe kjo për fat të keq të shqiptarëve jo të PD. Opozita harxhon më shumë energji duke u marrë me vetveten sesa me detyrën e saj që do të ishte opozita ndaj qeverisë. Këtu qeveria nuk funksionon pasi në administratë ka hajdutë, është fiks shprehja “Ujku mjegull do”. I vetmi që përfiton nga kjo situatë është Edi Rama i cili intereson kjo trazirë. Po ta shikoni situatën të gjithë po merren Berisha-Basha dhe Rama për herë të parë ka dalë nga loja. Kjo situatë përplasja në PD i intereson Ramës i cili ka mbi 90% të mediave në Shqipëri. Ai i ka lënë të hanë kokat e njëri tjetrit.
Aulon Kalaja e cilësoi Ramën si një kryeministër që ka vendosur shumë rekorde, për shkak se ka qeverisur pa gjykata, pa prokurori dhe pa opozitë parlamentare.
“Rama është njeri i rekordeve duke fituar 3 mandate. Është njeriu që do të mbahet mend që qeverisi pa gjykata dhe pa prokurori. Është njeriu që ka qeverisur me një Parlament pa opozitë. Nga kjo histori humbin shqiptarët, demokratët dhe i vetmi njeri që përfiton është Edi Rama. Rama është një ndër sponsorët e kësaj që po ndodh tani brenda PD-së”, përfundoi Kalaja.