“Qeveria të tërhiqet, ose do t’i vazhdojmë protestat dhe do ta bojkotojmë vitin e ri akademik”. Ky është reagimi i studentëve të Universitetit të Mjekësisë, pas vendimit të Qeverisë që synon të frenojë largimin e mjekëve të rinj.
Me këtë vendim, që u bë publik më 5 korrik nga kryeministri Edi Rama, studentët e mjekësisë duhet të firmosin një marrëveshje për të punuar 2 deri në 5 vjet në Shqipëri, pas përfundimit të studimeve. Ata që kundërshtojnë, do të duhet të paguajnë një tarifë të lartë studimesh.
Së fundmi është paralajmëruar dhe një bojkot i mësimit duke pasur parasysh projektligjin që i ndalon ata të largohen nga vendi pasi diplomohen, një projektligj i miratuar tashmë dhe i botuar në fletoren zyrtare.
Një nga studentët që ka paralajmëruar bojkot të këtij viti akademik është Arjon Kuçuku, student i mjekësisë së përgjithshme.
Në një intervistë për FaxNews me gazetaren Rovena Neziri, Kuçuku tregon se në mënyrë unanime, është vendosur prej studentëve që më 2 tetor të mos frekuentojnë ambientet e universitetit, duke bojkotuar kështu nisjen e vitit akademik.
Kuçuku thotë se zëri i tyre, ndonëse është dërguar në disa institucione, ka rënë në vesh të shurdhët.
Ai shprehet se ky është ligj është një kthim pas në komunizëm “kur e përcaktonte partia se ku do të punoje”.
Pyetje: Pse e keni marrë këtë vendim dhe cili është numri i studentëve që ju është përgjigjur për të bojkotuar vitin akademik dhe çfarë kërkoni?
Arjon Kuçuku: Ky është një vendim i paralajmëruar që në qershor-korrik, kur kemi filluar protestat dhe kemi kundërshtuar ligjin, donim t’i qëndronim asaj që thamë, jo vetëm për këtë arsye, por për të thënë që ne jemi aty dhe nuk mund të na shtypen të drejtat tona. Siç kemi paralajmëruar në datën 2 tetor, kur është nisja e vitit akademik do të bojkotojmë mësimin.
Ky vendim është marrë, pasi zëri jonë është dërguar në Ministrinë e Arsimit dhe Të shëndetësisë, në Universitetin e Mjekësisë dhe në Këshillin e Ministrave. Nuk u dëgjuam! Është një vendim unanim, i marrë nga të gjithë studentët e vitit të dyte deri në vitin e gjashtë, pasi me vitet e para sapo kemi filluar njohjet, por besoj se do të na bashkohen, pasi prek dhe ata. Në të gjitha sondazhet që kemi bërë, kemi marrë përgjigje pozitive.
Jemi duke bojkotuar për të mos u vendosur përballë kontratës, do bojkotojmë deri sa Gjykata Kushtetuese të japë vendimin e saj për sigurimin e padisë. Kjo do të bëjë që deri në një vendim final të mos firmosim asnjë kontratë. Për çdo hap jemi konsultuar me ekspertë ligjor.
Pikë së pari, në ligj thuhet që studentët e vitit të parë të regjistruar në mjekësinë e përgjithshme, në përfundim të studimeve nuk do t’u lëshohet diploma, përveç kësaj të mos u jepet e drejta për të specializuar jashtë dhe të punojnë aty ku do të vendoset nga instancat përkatëse. De facto kthehemi në një periudhë të komunizmit, “e cakton partia ku do të punojmë”.
Është mundësia tjetër që të paguajmë që nga fillimi 670 mijë lekë të reja dhe jemi të lirë për veprimet e mëpasshme. Nga të gjithë juristët është cilësuar si sanksion, jo tarifë.
Projektligji parashikon që të gjithë ata kandidatë, maturantë që do të fitojnë të drejtën për tu regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë, përpara regjistrimit do të nënshkruajnë një marrëveshje për të pranuar që të punojnë 5 vite pas diplomimit në institucionet shëndetësore shqiptare dhe për të tërhequr më pas diplomën pas përmbushjes së këtij detyrimi.
(Xh.H/FaxWeb.al)