Një tjetër skandal ka ndodhur në lidhje me cënimin e lirisë së medias, i cili e kthen gishtin për presionin e ushtruar nga qeveria e kryeministrit Rama.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (KMG), një prej organizatave më të mëdha e më të njohura të lirisë së medias me qendër në SHBA, ishte pjesë e një delegacioni që vizitoi Shqipërinë pas shqetësimeve se liria e medias është në rrezik.
Pasi përmend rastet e sulmeve ndaj gazetarëve shqiptarë, Attila Mong, përfaqësues i KMG për Europën, thotë se edhe gazetarët e huaj janë nën presion në Shqipëri. Idet e tij ai i mbështet konkretisht në deklarata të gazetarëve të huaj që punojnë në vendin tonë si Alice Taylor apo Louis Sellier, rasti i të cilit të lë pafjalë.
Në deklaratën e tij, Mong shprehet se ndaj gazetarit të pavarur francez Louis Sellier është ushtruar presion nga qeveria, e cila ka folur me pronarin e medias së tij për ta larguar nga puna, pas një raportimi kritik të tij mbi akuzat për korrupsionin qeveritar dhe krimin e organizuar, të publikuar në shkurt.
Deklarata e Attila Mong:
Gazetarët e huaj nuk janë të përjashtuar nga këto presione. Më herët gjatë këtij viti, Alice Taylor, një gazetare britanike e vendosur në Tiranë, u ngacmua nga mediat pro-qeveritare, të cilat e akuzonin për botimin e propagandës kundër qeverisë dhe për lidhje me Rusinë, pasi ajo bëri komente kritike në lidhje me korrupsionin e qeverisë. “Më ngacmuan në median sociale, më bërtisnin në rrugë, isha e tmerruar, madje merrja një mik që më shoqëronte për gati tre javë”.
Louis Sellier, një gazetar i pavarur francez, më tha se ambasadori i Shqipërisë në Paris, kishte ushtruar presion mbi një prej punëdhënësve të tij, tek gazeta e përditshme “Liberation”, pas një raportimi kritik të tij mbi akuzat për korrupsionin qeveritar dhe krimin e organizuar, i publikuar në shkurt. Në një letër për “Liberation”, të parë nga KMG dhe të nënshkruar nga ambasadori Dritan Tola, Sellier akuzohet për njëanshmëri dhe letra lë të kuptohet se gazetari nuk ishte personi i duhur, që e përditshmja ta punësonte në Tiranë, duke thënë se “është problematike ta prezanton atë si korrespondent të “Liberation”.
Në një email për KMG, Tola më konfirmoi se kishte pasur një korrespondencë dhe ishte takuar me ekipin e “Liberation” në Paris për të shprehur shqetësimin e tij rreth “prezantimit të thjeshtë dhe karikaturesk të Shqipërisë në gazetë”, si dhe për raportimin e “pabalancuar, që prezantonte një Shqipëri shumë të errët dhe të zymtë”. Tola mohoi që të kishte ushtruar presion ndaj gazetës, duke sugjeruar se ajo duhet ta zëvendësonte Sellier”.
Më tej përmendet edhe padia që është ngritur ndaj të përditshmes gjermane, BILD.
Mimoza Koçiu u shpreh: “Imagjino kur kjo u ndodh gazetarëve të huaj këtu, çfarë duhet të vuajnë gazetarët shqiptarë”.
Ndërkohë një korrespondent i KMG është shprehur se: “Guardian, Deutsche Welle, Vice dhe të tjera media të huaja kanë raportuar se si bandat shqiptare kanë prodhuar dhe shpërndarë drogë në Europë, duke sjellë sasi të mëdha parash të gatshme në vendin me më pak se tre milionë banorë, para që dyshohet se janë kanalizuar në sistemin politik të Shqipërisë me mënyrat e financimit të fshehtë të partive”.