Kryetari i Partisë Zgjidhja, Koço Kokëdhima nga studio e lajmeve të Fax News ku ishte i ftuar, ka deklaruar se shqiptarët nuk duhet të kenë asnjë shpresë se nga marrëveshja e arritur mes opozitës dhe mazhorancës për Reformën Zgjedhore, do të ketë ndonjë ndryshim, duke e konsideruar atë si vijim të dakortësisë së vitit 2008 për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Kokëdhima tha se ajo marrëveshje është ende në zbatim, ndërsa këtë radhë sipas tij përfshin edhe LSI-në. Ai deklaroi se opozita është distancuar nga premtiet e saj duke argumentuar se është palë me mazhorancën ndërsa shkon më tej duke shtuar se, ka dyshime që mes PS dhe PD ka një marrëveshje edhe për kohën se kur do të ndodhë rrotacioni politik.
Kreu i “Zgjidhja” tha sikurse ka ndodhur për 30 vite, nuk do të ndryshojë asgjë nëse nuk reformohet sistemi politik, duke argumentuar se kjo marrëveje vjen në kuadrin e ndarjes së pushtetit, bashkëpunimit me oligarkët dhe sundimit duke përdorur sipas tij mungesën e reagimit, injorancën, varfërinë.
Kokëdhima i është përgjigjur edhe pyetjes nëse po tentohet të sulmuhet Lëvizja Soacilaiste për Integrim, duke qenë se më herët ka qenë vetë Kryeministri Edi Rama që ka deklaruar se është në qëllimet e tij.
Pjesë nga intervista e Kokëdhimës me gazetarin Enea Meksi:
Si e shikoni rikthimin e opozitës jashtë parlamentare në tryezën e reformës zgjedhore në të cilën është ulur edhe Damian Gjiknuri, një person i shigjetuar herë pas here prej saj?
Kokëdhima: Është e qartë se veprimet e opozitës së kryesuar nga PD janë kontradiktore, mohojnë njëra-tjetrën, ndryshe thonë e ndryshe bëjnë, ato që i kërkojnë dje i injorojnë sot. Është një histori që tregon jo se është e pa mençur por është e pandershme, jo se është e paditur, por e pa sinqertë dhe asgjë tjetër veçse luftë për pushtet. PS-ja së bashku me PD kanë bërë marrëveshjen famëkeqe të 2 Prillit 2008 që u finalizua me rrëzimin e një pjese të mirë të Kushtetutës me sundimin e bipartizanizmin e marrëveshjes së tyre. Sot është e njëjta, gjë. Mazhoranca ka deklaruar se PD- ka veton, edhe ky këshilli që ka brenda edhe LSI-në që është bashkuar përfundimisht se çfarë bëjnë të mëdhenjtë, që në thelbin e vet nuk luan asnjë rol as kundërshti, por është me kë ka diellin e radhës, ose është me Rilindjen ose me Shqupin. Jemi në kushtet që marrëveshja PS-PD e sanksionuar në Kushtetutë në vitin 2008 është ende në fuqi. Ne e kemi paralajmëruar këtë situatë edhe në 2017, edhe në 2018 edhe në 2019. Mos e dhëntë zoti që edhe në braktisjen e Parlamentit kemi thënë që këta të mos jenë në një marrëveshje të fshehtë dhe okulte. Do ulen kemi thënë me një marrëveshje të re, siç janë tani.
Rama ka thënë kohë më parë se do ta shkrinte LSI-në, mos është kjo një lloj marrëveshje mes PD dhe PS për ta bërë këtë gjë?
Kokëdhima: Nuk futem unë në atë temë, pasi nuk është në etikën time ta bëj këtë gjë. Nuk mund të diskutoj për fate partish të veçanta, LSI le të ndjeki rrugën e vet, misionin dhe përgjegjësitë e veta, neve na interesojnë se çfarë bëhet me fatin e vendit.
Dje keni sulmuar ashëpër dokumentin e PD me shtatë pika ku e akuzoni për marrëveshje me PS, por nuk keni sulmuar nga ana tjetër PS-në, mos jeni të njëanshëm në këtë pikë?
Kokëdhima: PS është shumë e qartë se do ta mbajë në këmbë këtë kapje që i kanë bërë shtetit, institucioneve, Kushtetutës dhe zgjedhjeve. PD si opozitë duhet të ketë një projekt, dhe jo thjeshtë nevoja për të marrë pushtetin. Pushteti është mjet për të përmbushur një program dhe projekt politik, për të mbajtur më pas pushtetin duke realizuar premtimet. PD nuk mund të vijë në pushtet sërish duke vijuar rrugën e tradhëtisë së interesave kombëtare, duke vijuar të mbajnë në këmbë këtë sistem të kapur. I kanë marrë këta dy palët rolin e çdo shqiptari, nuk zgjedh dot një këshilltar bashkie, një kandidat për kryebashkiak, deputet. I zgjedhin kryetari i PD-së me kryetarin e PS-së. Zgjedhjet i organizojnë komisionerët e këtyre 2 partive dhe monopoli i tyre. Kontrollojnë të gjitha burimet ekonomike. 40-50 oligarkë në Shqipëri punojnë gjithmonë me qeverinë, ndërrojnë padronin, herë me njërën palë herë me tjetrin. Ai që është në qeveri shtyp popullin, ai që është në opozitë manipulon popullin. Edhe rrotacioni kam dyshim që ka një marrëveshje mes tyre se kur do të ndodhë. Kështu dëbohen forcat aktive nga vendi, mbesin vetëm ata që janë më të paaftë, më të lodhur, më të varfër.
Flisni për popullin, elektoratin, zgjedhjet e deputetëve, Dashamir Shehi ka thënë se është i gatshëm të mos i kërkojë zgjedhjet e parakohshme nëse do të rikthehen listat e hapura, a është gati populli të përballet me lista të hapura?
Kokëdhima: A është gati që të meritojë liritë e veta, mendoj se nuk është e duhura për ta bërë. Është poshtëruese të ngrejnë dyshimet shqiptarët për shqiptarët, nëse e meriton ky popull lirinë dhe të drejtat. Shqiptarët e meritojnë, nuk është lejuar të qeverisë fatin e tij dhe ta ketë në duar. Ai është i gatshëm dhe në nevojë emergjente të lejohet dhe të kontrollojë fatin e tij. Këta që flasin a është gati apo jo, i shërbejnë kësaj kaste politike dhe uzurpimi të madh, këtij pushteti të errësirës.
Zgjidhja edhe në kongresin e saj të vitit të kaluar ka ftuar aletatët e PD-s që ta kushtëzojnë pjesmarrjen në koalicion jo me vende deputetësh por ta kushtëzojnë me reformimin dhe demokratizimin e vendit. Ky largim nga deklaratat dhe qëndrimet e tyre dhe pritshmëritë e publikut, këta që vlerësohen si burra të mirë, është një kosto për ta. Asnjë arsye e vërtetë nuk ekziston në deklaratat se këtë po e bëjnë në shërbim të integrimit. Zgjedhjet e reja nuk janë lajm, me këtë administratë zgjedhore, me këtë Kod Zgjedhor, me këto ligje nuk janë lajm, sepse me këto marrëveshja PD-PS ndan pushtetin. Për çfarë këta zotërinjë e bëjnë këtë gjë? Kush ua ka premtuar zgjedhjet e parakoshme? E treta, çfarë fitojnë me zgjedhje të parakohshme?
Sa herë të behen zgjedhje do ti fitojë ky pushtet me oligarkët, me kriminelët, me administratën, 100 herë i fiton me këtë opozitë me të kaluar kriminale, të korruptuar, ku është themeluar ky realitet tragjik që po jetojmë sot dhe nuk kanë kërkuar asnjëherë falje me gjithë këto krime zgjedhore që kanë sjellë ata që kanë qeverisur Shqipërinë.
Kemi 30 vjet që ne mashtrohemi, dhe kemi qejf me sa duket. Na premtojnë zhvillim, të mirëa, afrim me Europën. Por pas 30 vitesh jemi më larg gjithçkaje që kanë premtuar. E vetmja pjesë e lumtur e Shqipërisë janë këta dhe njerëzit, kompanitë dhe oligarkët pranë tyre. Të tjerët lëngojnë dhe vuajnë në Shqipëri. Nën këtë lloj qeverisjesh dhe sistemi, shikoni si zbrazet Shqipëria. Këta thjesht po mbulojnë krizën, nuk po e zgjidhin, tani po e bëjnë me marrëveshje. E harroi PD se vitin e kaluar në Qershor do të hapeshin negociatat, ata e braktisën parlamentin duke e ditur se kjo do të shkaktonte vendimin negativ.
Shpesh ndërkombëtarët kanë ndërhyrë për të zgjidhur krizat e ndryshme, përse në Shqipër nuk ndodh që për njëherë të vetme ndërkombëtarët të mundësojnë zgjedhje siç u mbajtën në Kosovë marrim referim?
Kokëdhima: Zgjidhja nuk vjen nga ndërkombëtarët, por nga brenda. Kemi shprehur shpesh edhe kritika ndaj ndërkombëtarëve duke qenë që kanë asistuar dhe për pasojë kanë dështuar në misionin që Shqipëria të arrijë standarte europiane. Ndërkombëtarët kanë axhendat e tyre, vendet e BE-së kanë interesa gjeopolitike në Shqipëri dhe zgjerimit që projektohen për shumë vite e jo për 10 vitë për të cilët nuk janë asgjë me deformimet që ndodhin në Shqipëri. E rëndë është për shqiptarët se vitet njerëzore janë shumë të shkurtra, proceset duhet të ndryshojnë në afatshkurtra, ekonomia po ashtu, etj. Ja kjo është një arsye që duhet ti shikojmë gjërat brenda nesh jo jashtë nesh.
Pse nuk duhet ti besojmë kësaj marrëveshje të re, mbase për një fillim të ri?
Kokëdhima: Është e vjetër kjo që politikanët duhen parë nga veprat dhe jo nga fjalët. Gjithë këto dekada janë hapësirë shumë e madhe për të kuptuar se çfarë vjen prej tyre, do duhej të ishte një shplarje truri shumë e madhe. Ata e zbatojnë sundimin e tyre tek mungesa e forcës reaguese, tek varfëria, injoranca. Ata i luftojnë ëndërrat dhe interesat e shqiptarëve. Është dëm shumë i madh të mendojmë se këta do të ndryshojnë fatin e popullit. Ata bëjnë ligje për aleatët e tyre nga bota e krimit dhe korrupsionit. Mos ushqejmë iluzione, do të ndodhi ajo që ka ndodhur për 30 vite.
Mendoni se sistemi me lista të hapura do të ishte hapi i duhur për rifreskimin e klasës politike?
Kokëdhima: Ne nuk kemi folur për një zgjidhje teknike të caktuar. Ne kemi four për parimet dhe projekt politk, për demokratizim të partive, sepse janë të kapura. Për rivendosjen e të drejtës së qytetarëve për të propozuar emrat e kandidatëve për kruyetar partie, për depute. Ne kemi kërkuar administratë jo partiake. Zgjedhje të barabarta, të ndershem, administratë zgjedhore shtetërore të paanshme, demokratizim me ligj të partive, parlament të hapur me emërime të popullit.
(F.GJ/FAXWEB.AL)