Rreth 140 organizata jo fitimprurëse i bëjnë thirrje Kuvendit të Shqipërisë që të mos miratojë sot projektligjin për krijimin e regjistrit elektronik të OJF-ve.
Përmes një deklarate të përbashkët, ata kërkojnë që projektligji të mos miratohet dhe Kuvendi të nis një diskutim për të gjetur konsensus. Organizatat besojnë se projektligji i ri ka gjasa që do të dëmtojë punën e organizatave dhe nuk do të ndihmojë shumë në këtë drejtim.
Projektligji “Për Regjistrimin e Organizatave Jofitimprurëse” që është futur në seancën e sotme plenare synon të krijojë një regjistër qendror elektronik të organizatave jofitimprurëse.
Projektligji është një nismë e Këshillit të Ministrave dhe në relacionin e tij thuhet se këto ndryshime janë bërë pas rekomandimit të “MONEYVAL”-it për parandalimin e pastrimit të parave.
Pas këtij lajmi reagoi edhe ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani i cili bëri edhe një ironi me këtë nismë të ndërmarrë që sipas tij nuk fokusohet tek koncesionarët por tek populli i thjeshtë.
“Pas gjykatësve dhe prokurorëve, radhën e kanë OJQ që të japin llogari për pastrimin e parave…!!!
Të gjithë pastrojnë para në këtë vend! Gjykatës, prokurorë, OJQ, gazetarë, avokatë, opozitarët po e po, pastrojnë para. I gjithë populli pastron para.
Vetëm koncensionarët, offshorsat dhe kullaxhinjtë anonimë që punojnë me leje nga qeveria jo. Ata janë të ndershëm…
Ore e meritojmë këtë qeveri që kemi!”, shkruan ai.