Qindra banorë të kampit të refugjatëve Jenin të Bregut Perëndimor të pushtuar po largoheshin nga shtëpitë e tyre të enjten, disa ditë pas një bastisjeje në shkallë të gjerë izraelite në zonë.
“Qindra banorë të kampit kanë filluar të largohen pasi ushtria izraelite, duke përdorur altoparlantë në drone dhe automjete ushtarake, i urdhëroi ata të evakuonin kampin,” ku ushtria izraelite nisi një operacion intensiv ushtarak këtë javë, tha guvernatori i Jeninit, Kamal Abu al-Rub.
Megjithatë, ushtria tha se nuk ishte “në dijeni të ndonjë urdhri evakuimi për banorët në Jenin që tani”.
Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) tha se forcat izraelite kanë përdorur “armë të avancuar dhe metoda luftarake, duke përfshirë sulmet ajrore” në kampin Jenin, i cili tani është “pothuajse i pabanueshëm” me rreth 2,000 familje të zhvendosura nga zona që nga muaji i kaluar.
Salim Saadi, një banor i Jeninit, i cili jeton në buzë të kampit të refugjatëve, tha se ushtria u kishte kërkuar banorëve të kampit të largoheshin nga ora 9:00 e mëngjesit me kohën lokale deri në 5:00 pasdite.
“Ka dhjetëra banorë të kampit që kanë filluar të largohen,” tha ai.
Ushtria izraelite nisi një operacion në Jenin më 21 janar, duke thënë se synon të çrrënjosë militantët palestinezë në kamp dhe qytet.
Ofensiva filloi vetëm disa ditë pasi një marrëveshje armëpushimi ndaloi luftimet në Rripin e Gazës.
Sulmi izraelit ka vrarë të paktën 10 palestinezë dhe ka plagosur 40 të tjerë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se “Operacioni Muri i Hekurt”, siç është quajtur, do të “zhrrënjosë terrorizmin” në qytetin e Bregut Perëndimor të njohur si një bastion i militantëve palestinezë.
Trupat izraelite që sulmuan Jeninin në Bregun Perëndimor të pushtuar gjithashtu u vunë flakën shtëpive në zonë, raporton agjencia e lajmeve Wafa.
Sulmet përfshinin disa shtëpi në kampin e refugjatëve Jenin dhe një pranë xhamisë al-Asir.
Ushtria arrestoi të paktën 22 palestinezë të tjerë në bastisjet e reja ushtarake izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Ministri i Mbrojtjes tha se forcat izraelite po aplikojnë metoda të mësuara gjatë luftës në Gaza për operacionin e tyre ushtarak në Bregun Perëndimor.
Israel Katz deklaroi se operacioni në Jenin shënon një ndryshim në planin ushtarak të Izraelit në Bregun Perëndimor dhe ishte “mësimi i parë nga metoda e bastisjeve të përsëritura në Gaza”.