Protestuesit që kundërshtonin kufizimet pandemike po vazhdonin ende të protestonin në një korridor tregtar jetik mes Kanadasë dhe SHBA-së edhe për disa orë, pas hyrjes në fuqi të urdhrit për t’i dhënë fund bllokadës që ka ndërprerë industrinë e automobilave të Amerikës së Veriut.
Kryeministri Justin Trudeau i ka premtuar presidentit Joe Biden veprime të shpejta për t’i dhënë fund krizës që po i kushton tregtisë mes dy vendeve rreth 300 milionë dollarë në ditë. Të premten një gjykatës kanadez urdhëroi t’i jepet fund bllokadës katër-ditore të Urës së Ambasadorit, pika më e ngarkuar e kufirit tokësor të Amerikës së Veriut.
Ky urdhër hyri në fuqi në orën 19:00 me orën lindore, por më shumë se dy orë pas afatit, rreth 200 protestues, përfshirë fëmijë, u përplasën rreth hyrjes së urës, duke valëvitur flamujt kanadezë, ndërsa të tjerë ndezën fishekzjarrë.
Policia filloi të shpërndante pamflete që përshkruanin dënimet sipas urdhrit të urgjencës të Ontarios, i cili hyri në fuqi në mesnatë.
Trafiku në Urën e Ambasadorit është bllokuar nga protestat që nga e hëna, si pjesë e një demonstrate më të gjerë mbarëkombëtare kundër kufizimeve pandemike, duke përfshirë certifikatat e vaksinave për punëtorët thelbësorë.
Ndërkohë protesta kundër vaksinës dhe masave anticovid janë zhvilluar edhe para ndërtesës së Parlamentit Australian në Canberra. Mijëra protestues u mblodhën për të protestuar kundër kërkesës së vaksinës dhe masave të tjera anti-Covid. Sipas policisë, në marshim morën pjesë rreth 10 mijë persona, ndërsa tre prej tyre u arrestuan.
Kryeministri Scott Morrison tha se ai e kuptonte shqetësimin e protestuesve, por kërkoi protesta paqësore.
“Australia është një vend i lirë dhe ata kanë të drejtën për të protestuar”, ishte mesazhi i Morrison, i cili theksoi se kërkesa për vaksinën në disa shtete australiane nuk është një vendim i qeverisë qendrore.