Akademiku i shquar Rexhep Qosja, përmes një reagimi në rrjetin Facebook, ka deklaruar se e refuzon Medaljen Presidenciale për 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, akorduar prej presidentit Hashim Thaçi.
Qosja ka shpjeguar se arsyeja që ai e rrefuzon këtë dekoratë është ngaqë ajo jepet prej një rregjimi, sipas tij, po i sjell dëme dhe kompromentime shtetit të Kosovës.
“Duke qenë në pozita të larta politike ata u pasuruan, u bënë milionerë kushedi të safishtë shumë shpejt!
Ata shumë shpejt i pasuruan vëllezërit, motrat, në përgjithësi familjarët!
Ata shumë shpejt, duke qenë në pozita, i pasuruan, i bënë milionerë shumë nga bashkëpunëtorët e tyre!
Nga pozitat e tyre ata nuk e panë popullin, nuk i panë punëtorët, nuk i panë të varfrit, nuk i panë të braktisurit, të nënçmuarit!
Nga pozita e tyre ata nuk e panë rininë!
Nga pozitat e tyre ata i panë të heshtur duke u shpërngulur zemërthyer në botën e huaj të rinjtë e skamnorët.
Nga pozitat e tyre ata harruan Kosovën e varfër.
Korrupsionin e përshtrirë e të përthelluar ata e bënë dukuri tragjike që, siç e thonë edhe juristët, që u kanë dalë duarsh, mbrohet edhe me ligj!
Nepotizmin, këtë dukuri primitive në shekullin 21, ata e bënë politikë të punësimit dhe jo vetëm!” – shkruan Qosja.
Qosja ka akuzuar establishmentin e Kosovës se për qëllimet e tyre ata rikthyen censurën në televizionin kombëtar dhe e shndërrtuan vendin në shtetin e tyre privat.
“Kosovën e të gjithëve, Kosovën e lirë e të pavarur, që menduam se është shtet i të gjithë neve, ata e bënë shtet privat edhe me ato marrëveshjet që nënshkruan si i nënshkruan, pa këshilluar Kuvend, studiues, juristë, historianë: Marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave Serbe, Marrëveshjen për Vijën Kufitare me Malin e Zi dhe Gjykatën Speciale. Kur u dolën si u dolën punët marrëveshjesore ata e filluan lojën tragjikomike me arsyetime, mohime, pohime e mashtrime, që e tregojnë nivelin e tyre të ulët dhe etikën e tyre politike të paqenë edhe prej një ane prej së cilës nuk e tregojnë të këqijat e tjera që ia solli Kosovës regjimi i tyre!” – vijon Qosja.
“Krijimtaria ime historiko-letrare, historike, letrare artistike e publicistike dhe veprimtaria ime politike më obligojnë që të them:
NUK E PRANOJ DEKORATËN E PARË DHE TË FUNDIT QË MË JEPET PREJ REGJIMIT TË TYRE!
Dhe, nuk e pranoj sepse pajtimi me një dekoratë të dhënë prej një regjimi të tillë është në kundërshtim me mendësinë time,me konceptin tim për demokracinë, me domethënien, me humanizmin dhe me etikën sociale të krijimtarisë sime shkencore, publicistike e letrare artistike.” – ka përfunduar reagimin e tij, akademiku Rexhep Qosja.
(E.L/Faxweb.al)