Çdo 16 prill shumë qytetarë të Kosovës, rikthehen në Kukës, për të përkujtuar eksodin biblik të 99-tës, një ditë falënderimi për popullin kuksian që priti refugjatët por edhe thirrje për dy qeveritë për më shumë komunikim dhe bashkëpunim ashtu siç e kanë shqipatërët Kosovës dhe Shqipërisë.
Në Marsin dhe prillin e vitit 1999 ushtria serbe ndërmorri një vale të gjerë të spastrimit etnik të popullsisë shqiptare në Kosovë, duke larguar me dhunë mijëra banorë nga shtëpitë e tyre.Ishte Kukësi që u bë shtëpia e dytë e tyre, ku rreth 800 mijë persona u strehuan në shtëpi, godina institucionesh dhe në kampet që u ngritën për pritjen e tyre, deri ne 13 qershor ‘99 kur Kosova u çlirua nga NATO dhe UÇK.
Obelisku në Kukës është një simbol i kësaj dite, ndërtuar për të nderuar mikpritjen dhe sakrificën e atyre që hapën dyert për të strehuar vëllezërit e tyre kosovarë.