Drejtori i ALUIZNIT, Artan Lame i është përgjigjur denoncimit të një qytetari, i cili e ka akuzuar nëpërmjet një letre të hapur se ka legalizuar dy objekte të paligjshme në Sarandë.
Lame hedh poshtë akuzat e qytetarit duke e sqaruar se asnjë nga pretendimet e bëra nuk është i vertetë.
“Pra si fillim, asnjë nga këto dy objekte nuk ka lidhje me mua, dmth akuza jote, me emer e mbiemër, bie poshtë e gjitha.
Jemi në rregull bashkë?”, shkruan Lame.
Ndërkaq kreu i ALUIZNIT nuk ngurron t’i kërkojë qytetarit një ndjesë publike, për akuzat e bëra.
“Jemi në rregull bashkë?
Dhe meqenëse je, apo të paktën ke qenë ushtarak dhe, nga fotografia të shoh që ke një pëllëmbë mustaqe ?, me mirësjellje të kërkoj që, siç më akuzove publikisht, tani edhe të më kërkosh ndjesë gjithashtu publikisht.
Kaq si fillim.
Të shkojmë më tej. Ta zëmë se më kërkove ndjesë dhe le të merremi me ALUIZNI-n tani. Mirëpo nuk do harruar që Aluizni është veçse hallka e fundit e një zinxhiri të turpshëm përgjegjësish dhe institucionesh që nuk kanë bërë punën e tyre vit pas viti.
Sepse, për sa mund të të duket absurde, të dyja këto objekte janë ndërtuar në truall që është pronë e tyrja (ose më saktë kryesisht pronë e tyrja, se kanë zënë edhe pak pronë shtet). Dmth që e kanë shitur lojën ato institucione që ju kanë dhënë truall në pronësi në pika kaq delikate sa ç’është hyrja e Portit apo lulishtja e Spitalit”, shkruan ndër të tjera ai.
Reagimi i plotë:
PËRGJIGJE E HAPUR NJË LETRE TË HAPUR
Para disa ditësh, një qytetar nga Saranda, z. Arben Seraj, i ka dërguar një letër publike drejtorit Artan Lame me shqetësimet e tij rreth disa legalizimeve. Këtu në vijim përgjigjja e drejtorit Lame, gjithashtu publike.
Zoti Arben Seraj, natyrisht që ma dërguan linkun me letrën e hapur postuar në profilin tënd në fb. Për miletin që s’ka nge ta lexojë, po bëj një përmbledhje.
Më akuzon me emer dhe mbiemër që unë Artan Lame, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të ALUIZNI-t kam legalizuar në Sarandë dy objekte të paligjshme. Me thënë të drejtën, të gjitha objektet që legalizohen janë të paligjshme, por të themi që qenkan legalizuar në kundërshtim me ligjin e legalizimeve. Në fund, si qytetar më kërkon që të vë përpara përgjegjësisë personat përgjegjës.
E the tënden Arben? Tani dëgjo timen.
Objekti i parë, pra ai në hyrje të Portit nuk është legalizuar, pra rezulton ende sot objekt pa leje.
Objekti i dytë, pra ai në oborrin e Spitalit, është legalizuar më 01.06.2013, pra në muajt e fundit të qeverisë Berisha-2.
Pra si fillim, asnjë nga këto dy objekte nuk ka lidhje me mua, dmth akuza jote, me emer e mbiemër, bie poshtë e gjitha.
Jemi në rregull bashkë?
Dhe meqenëse je, apo të paktën ke qenë ushtarak dhe, nga fotografia të shoh që ke një pëllëmbë mustaqe ?, me mirësjellje të kërkoj që, siç më akuzove publikisht, tani edhe të më kërkosh ndjesë gjithashtu publikisht.
Kaq si fillim.
Të shkojmë më tej. Ta zëmë se më kërkove ndjesë dhe le të merremi me ALUIZNI-n tani. Mirëpo nuk do harruar që Aluizni është veçse hallka e fundit e një zinxhiri të turpshëm përgjegjësish dhe institucionesh që nuk kanë bërë punën e tyre vit pas viti.
Sepse, për sa mund të të duket absurde, të dyja këto objekte janë ndërtuar në truall që është pronë e tyrja (ose më saktë kryesisht pronë e tyrja, se kanë zënë edhe pak pronë shtet). Dmth që e kanë shitur lojën ato institucione që ju kanë dhënë truall në pronësi në pika kaq delikate sa ç’është hyrja e Portit apo lulishtja e Spitalit.
Pastaj, për sa mund të të duket sërish absurde, njëri nga ato dy objekte është edhe me leje ndërtimi, të vitit 1998 (!!!) dhe tek Aluizni ka ardhur se ka shkelur lejen. Pra e paska shitur lojën edhe Bashkia që i ka dhënë leje ndërtimi në vitin 1998, edhe Këshilli i Rrethit që kanë dhënë lejen e sheshit të ndërtimit në vitin 1994 në lulishte.
Madje e ka shitur lojën edhe Prefektura e asaj kohe, që ka verifikuar vlefshmërinë ligjore të lejes së ndërtimit dhe i ka dhënë në fuqi.
Pastaj e ka shitur lojën policia ndërtimore (qëndrorja) që ka lejuar të ndërtohet pa leje m’u midis qytetit në të dy rastet. Se njëri është fare pa leje, ndërsa tjetri ka leje për 2 kate e ka bërë 4 kate pastaj.
E ka shitur lojën prapë edhe Bashkia dhe inspektoriati i ndërtimit i Bashkisë, që kanë lejuar të ndërtohet pa leje brenda kompetencave të tyre territoiale.
Pastaj e ka shitur lojën polici i Portit dhe drejtori i Spitalit që kanë lejuar që në hundë të tyre të ndërtohet pa leje.
Pastaj e ka shitur lojën Hipoteka e asaj kohe që ka lejuar të regjistrojë dhe të lëshojë certifikata pronësie me probleme origjine.
Dhe në fuuuund faaare, për njërin prej objekteve, e ka shitur lojën edhe ALUIZNI i kohës së Saliut, që e ka legalizuar në vitin 2013.
Me një llaf e kanë shitur lojën të gjithë, po të gjithë ama (përveç meje, që po i ha të thartin kësaj çorbe). Po s’është halli tek halli im, është tek e gjithë historia jonë me pronat përgjatë këtij çerekshekulli, që janë shqyer e çaplyer sa s’ka ku të vejë më dhe jo nga ca alienë që s’dihet se nga na erdhën, por nga ne, nga bashkëqytetarët tanë, nga të zgjedhurit tanë, nga të emëruarit e këtij shteti, nga gjyqtarë, noterë e avokatë, nga police, kontrollorë, inspektorë e zyrtarë, nga miqtë, të afërmit e të njohurit tanë. T’i futim të gjithë brënda? Punë që bëhet, po kush do u japë të hanë pastaj, se kam frikë se mos bëhen më shumë brënda se jashtë!
Ajo që bënë shqiptarët me pronën në këta 28 vjet, s’ka libër e roman që e tregon dot dhe nuk ndreqet më nga fillimi, edhe sikur të ngjallet Ai që vdiq në ‘85-ën. Por të paktën të ndreqim ç’mundemi në këto vite në vijim. Me modesti ta them se pikërisht këtë po përpiqemi të bëjmë.
Legalizimi i pronës, pavarësisht se edhe unë kam vërejtjet e mia, është hapi i parë duhur dhe nuk besoj që ka njeri që e vë më në dyshim që ja dolëm ta bëjmë.
Bërja e Kadastrës së re nga krei në fund, është një tjetër gjë e domosdoshme dhe në drejtimin e duhur. Jo se merrem unë me këtë punë dhe më ngjan kushedi se ç’është, por realisht, nëse kjo Qeveri do ja dalë të ngrejë një kadastër të besueshme, të saktë dhe të përdorshme nga të gjithë, do t’i japë të ardhmes së vendit themelin e shëndoshë qoftë për ekonominë, qoftë për bujqësinë, e qoftë për paqen sociale, se lanë leshtë njerëzia duke u zënë vëlla me vëlla për një copë tokë e një dhomë shtëpie.
Në këtë proces, vullneti është, na duhet vetëm kohë, durim dhe djersë.
Të falenderoj dhe pres atë ndjesën që thashë sefte?.
Shëndet,
Artan Lame