Gjatë ditëve të sotme, një sy i trajnuar mund të dallojë ende traktorët e ardhur nga Kina, që vazhdojnë të punojnë ende në zonat rurale të Shqipërisë, detaj që të sjell menjëherë ndër mend kohën kur ky vend i vogël Ballkanik ishte një ndër vendet kryesore mbështetëse të gjigantit kinez, shkruan The Economist. Në vitet 1960, ndihma dhe kapitali kinez ndihmuan regjimin e ashpër të Enver Hoxhës në këmbim të mbështetjes për Kinën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Ndërsa sot, të shumtë janë ata që i druhen faktit se çfarë të mbjellësh edhe do korrësh. Paratë kineze po derdhen në zemrën e Europës dhe në periferinë e saj. Ndonjëherë duket se ka në mes një avantazh politik. Investimet publike në Bashkimin Europian janë në nivelin e tyre më të ulët në këto 20 vitet e fundit. Nuk është çudi që shumë investitorë po i drejtohen edhe Lindjes. Stoku i investimeve kineze në Europë është më i ulët krahasuar me Amerikën apo Japoninë, por gjithsesi vazhdon të jetë në nivele të mira.
Sipas një studimi të kryer në vitin 2016, Investimet e Huaja Direkte në BE ishin mbi 77 për qind më shumë në krahasim me një vit më parë, në 35 miliardë euro (41 miliardë dollarë). Këto ditë, vëmendja e Kinës është përqendruar në qendrat e inovacionit të Europës veriore, po aq sa edhe në fushën e infrastrukturës.
Vitin e kaluar, Cosco, një firmë shtetërore kineze e transportit, mori një numër të lartë aksionesh në Portin grek të Pireut, duke siguruar më pas eksportues kinezë.
Por pjesa lindore po shkakton interes të veçantë kohëve të fundit. Pak javë më parë, Kryeministri kinez, Li Keqiang, shkoi në Budapest për të marrë vetë pjesë në takimin e përvitshëm me titull “Bashkëpunimi ndërmjet Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore (i njohur edhe si formati 16+1) duke sjellë me vete edhe premtimet për investime deri në 3 miliardë euro.
Në këtë takim, bisedimet kanë përfshirë edhe investimet në fabrikat e qumështit në Estoni, në industrinë e mallrave sllovake dhe në lidhje me ndërtimin e një hekurudhe të shpejtësisë së lartë nga Serbia në Hungari (që mund të shkelë rregullat e tenderimit të BE).
Beata Szydlo, Kryeministrja e Polonisë, pati disa rezerva në lidhje me burokracinë kineze, por Viktor Orban, homologu i saj hungarez, u tregua më diskret, duke festuar për rritjen ekonomike të Kinës dhe duke pranuar edhe zakonin e saj të këndshëm për të mos folur kurrë për demokracinë apo të drejtat e njeriut.
Për disa europianë perëndimorë, e gjithë situata nxjerr në pah shqetësimet e vjetra dhe krijon kushtet e duhura edhe për shumë të reja.
E para është se duke u përpjekur për të marrë sa më shumë jen dhe duke e bërë një gjë të tillë në mënyrë të nxituar, shumë prej këtyre qeveria ka mundësi që të kthehen në delegatë të interesave kineze. Dhe frika nuk është e pabazuar. Në qershor të këtij viti, Greqia dha veton e saj që BE-ja të kishte një pozicion të përbashkët në OKB, në lidhje me çështjen e të drejtave të njeriut në Kinë.
Edhe pak kohë më parë, për shkak të presionit të ushtruar nga Hungaria, Greqia dhe disa shtete të tjera, u zhduk një deklaratë e nxjerrë nga BE-ja, ku thuhej se një Gjykatë Ndërkombëtare kishte gjobitur Kinën për të gjitha dëmet e shkaktuara në Detin e Kinës Jugore.
Për vendet e Ballkanit, si Serbia, për të cilat pranimi në BE, mund të zgjasë për vite me radhë, Kina përbën një prej tundimeve më të mëdha. Shumica e këtyre vendeve e shohin atë si një shtet që ofron mbrojtje gjeopolitike kundër Europës, edhe pse nuk kanë asgjë më tepër për të ofruar sesa pozicioni i tyre në “Rrugën e Mëndafshit të Ballkanit” midis Pireut dhe vendeve të pasura të Europës.
Dhe kjo gjë nuk ka të bëjë me planifikimin e një strategjie të paskrupullt për të përgatitur qëndrime të përbashkëta me Kinën, sesa me një dëshirë të drejtpërdrejtë për të kërkuar favorizimin nga ana e saj. Ju mund ta quani po të doni një situatë të tillë edhe me termin “bindje parandaluese”, një term i vjetër gjermanolindor, i përdorur dikur nga Thorsten Benner, drejtor i Institutit të Politikës Publike Globale, me bazë në Berlin. Situata është shqetësuese por jo aq sa për të krijuar panik.
Investimet kineze në Europën Lindore janë të pakta nëse do t’i krahasojmë me ato të Perëndimit, vëren Tomas Valasek nga Carnegie Europe, një institucion i politikës së jashtme. Për Kinën, Europa Qendrore është një element i vogël i një strategjie të madhe euroaziatike, i lidhur me projektin e infrastrukturës “One Belt, One Road”.
Frika e dytë e Europës, që është një prej shqetësimeve të saj më të mëdha, është se mos në një të nesërme të afërt do të përballet me një “super Kinë”, e cila do të jetë e pasur dhe që mbi të gjitha do të ketë nën varësinë e saj pjesët më të rëndësishme të infrastrukturës dhe pa dyshimin më të vogël, duke mos treguar një pjesë të madhe të sekreteve të suksesit.
Strategjia “Made in China 2025” e Pekinit, e hartuar në mënyrë eksplicite për industrinë gjermane, “Industry 4.0”, ka për qëllim ta shndërrojë vendin në një central elektrik prodhues të teknologjisë së lartë në industriu, së bashku me teknologjitë e tyre të patentuara, është një qëllim tjetër i rëndësishëm i saj.
Investime me karakteristika kineze
Situata po ndryshon në disa pjesë të Europës dhe veçanërisht në Gjermani, blerja e vitit të kaluar e Kuka-s, një prej firmave kryesore gjermane në fushën e robotikës nga kompania kineze Midea, ishte momenti që shënoi edhe kthesën e madhe drejt ndryshimit.
Sigmar Gabriel, ministri i atëhershëm i Ekonomisë gjermane, kishte kërkuar me ngulm, edhe pse pa sukses, gjetjen e një blerësi europian, me shpresën që ta mbante firmën teknologjike të Kuka-s larg duarve kineze.
Ekziston gjithashtu shqetësimi në lidhje me vështirësitë në rritje që kompanitë europiane po hasin brenda shtetit kinez.
Gjermania i ka forcuar rregullat për shqyrtimin e investimeve, dhe z. Gabriel e ka paralajmëruar Kinën që të mos krijojë lojëra të tilla duke i vendosur qeveritë euopiane kundër njëra-tjetrës, sepse nëse duan, ato mund ta bëjnë një gjë të tillë edhe vetë, pa pasur fare nevojë për Kinën. Ndërsa disa udhëheqës të tjerë europinaë si Presidenti aktual i Francës, duket se mendojnë në mënyrë naive.
Në fillim të këtij viti, si pasojë e një marrëveshjeje të përbashkët franko-gjermano-italiane u nxit centralizimi i fuqive të tilla në Bruksel, kryesisht për sa u përket sektorëve të ashtuquajtur si “strategjikë”. Por të tria këto fuqi të mëdha u përballën me rezistencën e një koalicioni të tregtarëve të Europës Veriore, asaj Qendrore dhe përfituesve të Europës Jugore, të cilët të gjithë i shihnin me më shumë shpresë dhe pozitivitet investimet kineze.
Komisioni Europian tani ka propozuar një projektligj që lejon bashkëkoordinimin e përpjekjeve kombëtare të shqyrtimit.
Të shumta do të jenë edhe mundësitë për mosmarrëveshje. Rritja e investimeve të Kinës dhe zhvendosja në objektivat e saj, paraqesin një sfidë serioze. Është ndoshta më e vështirë se kurrë të balancohet hapja ndaj tregtisë me kujdesin që duhet treguar ndaj keqpërdorimit të saj. Por në epokën e z. Trump dhe të Brexit, i mbetet në dorë Europës që të veprojë sa më parë duke vendosur mbi të gjitha zbatimin e rregullave.
Qeveritë e saj nuk janë të pafuqishme. Vigjilenca është lëvizja më e zgjuar në këtë situatë, ndërsa besimi që mund të jepet është një faktor ndihmues i dobishëm./monitor