Padyshim fjalimi i një dite më parë i Rigerta Lokut nga Mirdita në Parlament, ka vënë në lëvizje politikanët shqiptarë, mediat dhe ka konfuzuar edhe opinionin publik të ndarë në dy kampe: Pro dhe kundër fjalimit.
Ish-kandidati i Lëvizjes Socialiste Ralf Gjoni, i ka shkruar një letër gruas nga Mirdita që mori guximin një ditë më parë të fliste për të vërtetat e fshatit përpara parlamentarëve.
Gjoni me ironi i thotë Rigertës: “Ç’na bëre moj Rigerta. S’na e ka bërë dot kush deri më sot… që prej Ballist Morinës. Na bashkove të gjithëve nën një kredo: “T’a duam atdheun e të përkujdesemi për lotët e deputetëve e të ambasadorëve”.
Sipas Gjonit, që sigurisht bie dakord me të vërtetat e fshatit tregon përmes disa fotove të realizuara gjatë fushatës elektorale se edhe qyteti nuk ndodhet në një gjendje më të mirë.
KOMENTI I PLOTË
Ç’NA BËRE MOJ RIGERTA, Ç’NA BËRE!
Telegram Rigerta Lokut nga Ralf Gjoni.
Ç’na bëre moj Rigerta. S’na e ka bërë dot kush deri më sot… që prej Ballist Morinës. Na bashkove të gjithëve nën një kredo: “T’a duam atdheun e të përkujdesemi për lotët e deputetëve e të ambasadorëve”. Nuk e them unë. E shkruan gazetarët dhe e vulosi Facebook-u = The People
Ata thonin që ti trondite qeverinë në parlament e përlote Gramoz Ruçin, krokodilin e politikës shqiptare të cilit edhe në kohë luftrash nuk do i lëvizte syri. Ia the troç në sy Niko Peleshit për fshatin, madje detyrove LSI-në të kërkonte dorëheqjen e tij. E prapë shpirti yt bujar e lejoi Nikon të futej në selfin tënd, pasi e kishe frymëzuar për politikat agrare. Kështu lexova të paktën. Mobilizove një opozitë të tërë në këmbë. Por ata nuk e kërkuan dorëheqjen e Nikos. Atë që se bëri dot çadra e bëre ti Rigerta. Lul Basha të akuzoi dhe numri i likes-eve në faqen e tij shkoi në stratosferë. Edi Palokën nuk e zë gjumi që prej fjalimit tënd. I vjen inat që nuk ishte atje pranë teje, në vend të Gramozit. Ma mërzite edhe Doktorin se i vodhe lavdinë e foltores, e nuk t’a preu kush fjalën. Bëre që në faqen e Opinionit të shkruhej një prej analizave më të goditura të këtij viti. Je burim frymëzimi jo vetëm për analistët, por për gjithë shoqërinë civile. Më thonë që Nisma ‘Thurje’ po përgatit protestën e radhës, paçka se vetëm dele ka gjetur deri tani.
Nuk mbeti njeri pa komentuar, pa debatuar, pa shkruar e pa u përlotur. Vetëm Blushi nuk shkruajti. Por ama nga Vermoshi në Konispol zienin emocionet. Kaq shumë ndjeshmëri e sensitivitet mes këtij populli? Dhe duhej patjetër një mirditore trimëreshë si ty që të ndodhte kjo mrekulli sociale. Fute qeverinë në mendime. Tërbove opozitën. Frymëzove angazhimin qytetar. Gjenerove debat kombëtar. Preke fiks në plagët më të dhimbshme të shoqërisë sonë të vuajtur. Reflektove kreativitet dhe inteligjencë; prite gjithë këta vjet që të ligjëroje pak çaste në foltoren e parlamentit dhe hodhe në erë një klasë të tërë politike. Fute llogaridhënien si koncept në parlament. Arrite të përballësh fshataren me një politikë të tërë kryeqyteti. Operacion civil i denjë për mijëra euro grant nga donatorë të mëdhenj si BE. Por ata ia japin eurot tjetërkujt, pavarësisht përlotjes të ndonjë përfaqësuesi diplomatik.
Përplase mendimtarët më të mëdhenj të Facebook-ut. Ca qanin me emocion, a ca të shanin se ishe vegël aktrimi e qeverisë. Revolta qytetare bëri jehonë më të madhe se shpërthimi i Gërdecit. E çove penën e Ylli Dylgjerit majë maleve të thepisura, atje ku vetëm dhitë e Ndre Legisit jetojnë. Zgjove ndërgjegjen qytetare të popullit. Filloi t’a kuptojë sovrani më në fund se çfarë lloj parlamenti dëshiron. Nuk do këtë të sotmin, paçka se vetëm para tre muajsh e votoi, paçka se kur ata deputetët shpirtzinj përplasen në teatrin e të enjtes, populli rri pingul para ekranit sikur po sheh Ertogrulin. Populli dashka një parlament me emocione, me të qara. Është po ky popull që nuk të votoi ty. E çuditshme se si populli që përlotej kësaj jave është 4 vjet më i pjekur politikisht se në 2013. Mos ka qenë faji i zonës? Ndoshta po të kishe kandiduar në Tepelenë do ishe futur. Mos u mërzit e dashur se as mua nuk më votuan kësaj radhe.
Fundja, ajo çfarë kërkove ti ishte krejt minimale. Dreqi t’a hajë, ato dy gjëra dua edhe unë në Tiranë. Rrugë të shtruara mes pallateve të Xhamllikut e ujë të rrjedhshëm që ti e ke bio e unë nga depozita me E-coli. Ti ke dhitë e qumshtin e freskët. Unë kam grimcat metalike të ndotjes urbane që na helmon mushkëritë e fëmijëve çdo minutë të ditës. Ti merr ajër të pastër me oksigjen, e unë kam frikë të hap dritaren. Ti ke frikë se po braktiset fshati, e unë kam frikë se po braktiset e tërë Shqipëria nga të rinjtë e shkolluar të qyteteve tona. Ti ndoshta e ke zgjidhur çështjen e pronës. Unë ende s’kam marrë asnjë metër katror nga tokat e mia që më takojnë me ligj e me moral. Por mua s’më dëgjon njeri kur ua them. Ty po.
Meqë më dhe shpresë se Shqipëria do bëhet, po të jap një të vërtetë të hidhur e dashur Rigertë. Në parlament, të cilin unë e njoh mirë, nuk votojnë as fjalët e as lotët. Në parlament vendosin vetëm numrat, dhe besoj se Sapienza të ka mësuar se matematika është akull e ftohtë e pa pikë emocioni, si puna e shahut. Dhe ai populli ynë biologjikisht evropian që këto dy ditë qau me ty, e ka ndarë mendjen që në qershor se kë do të drejtojë për 4 vitet e ardhshme. Jo me lot, por me numra, me shifra, me llogari. Ah Rigertë, mezi po pres të vij e të shoh rilindjen rurale e të të tregoj si funksionon parlamenti këndej nga qyteti, sidomos përtej kamerave… Besoj do më ftosh të vij andej nga anët e tua, të takoj Kristinën e të pi pakëz qumësht dhie. Ndërkohë po të bashkangjis edhe ca foto që bëra gjatë fushatës sime për deputet tek lagja ime e vjetër në Tiranë. Ci vediamo! (D.D/shuplaka)
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”2875″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]