Gjatë pushimeve, kujdesi shëndetësor është gjithmonë pranë qytetarëve. Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga vizita që ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu zhvilloi në Qendrën Shëndetësore Verore në Shkëmbin e Kavajës, ku stafi mjekësor është në gatishmëri 24/7 për çdo emergjencë.
Janë 36 qendra të hapura në të gjithë bregdetin, për pushime të sigurta dhe të qeta, theksoi Rama në postim. Ministrja Koçiu gjatë vizitës së saj tha se “në këtë qendër brezat bashkëpunojnë, ku mjekë me përvojë dhe të rinj si doktoreshë Alesia punojnë krah për krah për t’i shërbyer qytetarëve”.
“Si eksperiencë e parë në këtë qendër është shumë e mirë, kemi pasur goxha raste që na ndihmojnë të marrim edhe eksperiencën e duhur”, tha doktoreshë Alesia.
Drejtoresha e Përgjithshme e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Jeta Deda theksoi se “ka një ndryshim nga qendrat e tjera se është e vetmja që e ka diferencën 50 me 50, turistë të huaj dhe shqiptarë që vijnë e trajtohen”.
Sipas saj, qendrat e tjera janë 70 me 30.
“Më herët qendra shëndetësore ka qenë në zonën e Plepave, por këtë vit e kemi afruar tek Shkëmbi i Kavajës sepse këtu ka përqendrim turistik. Është në 5 qendrat shëndetësore që ka numrin m të madh të vizitave”, tha Deda.
Gjatë gjithë sezonit veror, turistët e huaj, por edhe pushuesit vendas mund të marrin shërbim shëndetësor për çdo rast urgjence në 36 qendrat shëndetësore verore që janë në funksion të plotë 24 orë në ditë, në 7 ditë të javës. Qendrat shëndetësore do të qëndrojnë të hapura deri në datën 30 shtator 2025, për një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë pushuesit vendas dhe ata të huaj.