Kreu i qeverisë Edi Rama ka qenë sot në familjen Baruti, të cilët përkohësisht janë vendosur në një banesë me qera në zonën e Maminasit, për shkak se shtëpia e tyre u dëmtua si pasojë e tërmetit të 26 Nëntorit.
Pasi mori vlerësime, si me porosi nga kryefamiljari, Rama tha se ai është zgjedhur në postin e kryeministrit për të mbajtur pesha të rënda, ndërkohë që nuk munguan as bisedat me pullë të kuqe në sy të tre fëmijëve, asnjëri prej të cilëve nuk i kishte më shumë se 10 vite.
Duke folur për cilësinë e banesave që do ti ndërtoheshin kësaj familje, dhe të tjerave, Rama tha se dhomat do të kenë izolim shumë të mirë nga njëra tjetra, aq sa nuk do dëgjohet asgjë se çfarë ndodh në atë të çiftit.
“Edhe dhomat janë të izoluara nga njëra tjetra, nëse ka tërmet në njërën në tjetrën nuk ndihet”, u shpreh Rama, ndërkohë që nuk mbaroi me kaq historinë e tij. Ai tregoi një tjetër rast, duke u tallur në njëfarë mënyre dhe me banorët që jetojnë në çadër, duke thënë se një çift i ri e kishte ndarë atë në mes, për të pasur intimitetin e tyre.
“Shkova te njëri unë, nga ana që rrinë në çadër, dhe e pashë që e kishin ndarë në mes. Kur i pyeta se çfarë kishin bërë, më tha ”Pse do pres tërmetin unë? Unë u fejova kur ra tërmeti… e kështu tërmet edhe brenda”, tha Rama që mori dhe buzëqeshjen e të pranishmëve, mes tyre edhe fëmijët, që duket se kishin dhe orën e edukatës seksuale, falë kryeministrit.
Pjesë nga biseda e Ramës me kryefamiljarin:
Kryefamiljari: Të ka rënë peshë e rëndë
Rama: Po tani për pesha të rënda jemi ne, se për pesha të lehta. Uluni si në shtëpinë tuaj. Mirë qenka shtëpia.
Kryefamiljari: Shtëpia tjetër është e dëmtuar.
Rama: Si shtëpia jote nuk ka, por kjo është e përkohshme, do ua bëjmë atë tjetrën më të mirë se ç’e kishit. Nga maji do të dalim në terren të ndërtojmë shtëpitë. Angazhimi është që vitin e ri t’i mblidhni të gjithë te shtëpia e re.
(E.K/Faxweb.al)