Kryeministri Edi Rama deklaroi se, brenda mandatit të katërt Shqipëria do të ketë sovranitetin e saj energjetik
Në një konferencë për shtyp së bashku me Zëvendëskryeministren dhe njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku për çmimin e ri të energjisë elektrike, Rama u shpreh se natyrisht që sektori ka nevojë për investime dhe transformime të tjera dhe se planet janë shumë ambicioze.
“Kur unë e thosha këtë në fillim asokohe ata që s’dinë se çfarë thonë, por vazhdojnë e thonë skërmiteshin e thoshin çfarë është kjo pavarësia energjetike, çfarë është ky sovraniteti energjetik. Ky sovraniteti energjetik është që sikur bota të kthehet përmbys Shqipëria do të ketë energjinë e vetë për çdo ditë të vitit me ujë pa ujë, me shi pa shi, për të gjitha nevojat e veta. Ky është sovraniteti energjetik. Nuk do varet nga askush, nuk do varet fare se çfarë ndodh jashtë kufijve dhe nuk do shkojë të blej jashtë, por përkundrazi do shesë jashtë dhe do ja vërë çmimin si të dojë vetë. Ky është sovraniteti energjetik”, tha Rama.
Rama u shpreh se, sovraniteti energjetik tanimë nuk është një ëndërr, siç ishte kur ne ishim në opozitë, nuk është as një vizion afatgjatë strategjik, por është një horizont që duket me sy dhe që përfshin kohën brenda mandatit tonë të katërt. Ky është sovraniteti energjetik”.
Dhe përtej kësaj, vijoi Rama, “ne do të hedhim një hap të jashtëzakonshëm në ditët në vijim me një marrëveshje trilaterale që do të vendosë themelet e Shqipërisë aktorë në politikën energjetike evropiane në dekadën e ardhshëm. Por për dekadën e ardhshme do t’ju a lëmë juve që ta administroni këtë punë edhe ta bëni bukur siç bëni punën tuaj”.