Kryeministri Edi Rama i ka përcjellë sot mesazhin opozitës, se nuk do të ketë qeveri teknike, dhe as shtyrje të zgjedhjeve parlamentare.
Në “Komunikimin javor” nga profili i tij, kreu i Qeverisë ka theksuar se vettingu do të realizohet.
Sakaq, kryeministri Rama është shprehur se është i gatshëm për dialog dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor, nëse PD ka propozime konkrete.
“Një grup politikanësh që kërkojnë pushtet mblidhen te çadra. Po kështu janë një grup gjykatësish që nuk duan të ikë çadra, se kërkojnë të mbajnë peng drejtësinë. Të huaj jo dashamirës të këtij kombi, që nuk duan ta shohin Shqipërinë të bëjnë shtet. Kush ka hallin për një karrige parlamenti për vete, kush duket në çadër për të treguar se është akoma gjallë, e të tjerë për halle të tjera. Halle halle kjo dynja, halli hallit nuk i ngjan. Çadra e ngritur në mes të bulevardit si kështjellë rëre,
S’ka për të ardhur ndonjëherë ftesa për qeveri të teknike, as oferta për shtyrje të zgjedhjeve. Të vetmit e atyre që presin atë që nuk vjen kurrë nga pritja në çadër, janë thashethemexhinjtë.Kjo nuk është kriza e Shqipërisë, por një krizë e një partie politike që nuk vjen dot në pushtet. Kjo është kriza e një katundi të izoluar politik. Kanë kapur peng të vërtetën. Është kriza e gogol-makutëve në orvatjen për t’i shpëtuar drejtësisë. Kjo është kriza e një elite politike të ngujuar në bulevardin e politikën, krejt të pavëmendshëm për shqetësimet e vërteta të popullit. Flasin për revolucion popullor pa popull.” tha Rama.
Ai e ka bërë të qartë një herë e mirë se qeveri teknike nuk ka dhe se mazhoranca do të respektojë datën e zgjedhjeve të vendosur tashmë, 18 Qershor.
“PD kërkon të fusë vendin në krizë politike. S’ka për të ardhur ndonjëherë oferta për qeveri teknike. S’ka për të ardhur oferta për shtyrje të zgjedhjeve”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama i kërkoi opozitës që të dalë nga çadra, pasi sipas tij nuk ka për të ardhur ndonjëherë ftesa për qeveri teknike dhe as oferta për shtyrjen e zgjedhjeve.
“Çadra e ngritur mes bulevardit si kështjellë rëre për t’u mbrojtur nga humbja e lirisë pas zbatimit të Vettingut dhe humbja e zgjedhjeve pas fushatës, di vetëm atë çfarë nuk do dhe pret atë që nuk do të vijë ndonjëherë. Nuk ka për të ardhur ndonjëherë lajmi: Vettingu nuk do të bëhet kurrë, prandaj dilni. S’ka për të ardhur ndonjëherë ftesa për qeveri teknike, prandaj kthehuni, s’ka për të ardhur ndonjëherë oferta për të shtyrë zgjedhjet, prandaj zgjohuni. Nuk ka për të ardhur nga rrufeja nga qielli që ta bëjë Kryeministrinë shkrumb e hi që të deklaroni fitoren. Kam qenë, jam dhe do të jem i gatshëm, çdo ditë, çdo orë edhe në çadër po të duan, të takohemi dhe të dialogojmë me opozitën. E kam thënë edhe më parë dhe rikthesoj sot, jemi gati për dialog dhe jemi gati për ndërhyrje në Kodin Zgjedhor. Jemi të hapur për krijimin e çdo mekanizmi të ri institucional, që PD-ja mund të propozojë për përmirësimin e mëtejshëm dhe respektimin e plotë të standardeve zgjedhore. Jam sot i bindur se PD-ja do të hyjë në zgjedhje, pavarësisht përbetimeve e kërcënimeve. Ashtu siç jam i prirur të besoj se PD-ja do të kthehet në Kuvend për të votuar Vettingun, sepse nëse nuk e bën këtë për Shqipërinë dhe zgjedhësit e saj, duhet ta bëjë për të mos vulosur me turp fatin e saj në zgjedhje.” tha Rama.
(M.D/ Shuplaka)