Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka ka folur në studion e lajmeve të Fax News rreth tryezës që do të zhvillohet ditën e nesërme me kërkesë të aleatëve opozitarë me presidentin Ilir Meta.
“Ne 12 pikat që kemi parashtruar i shohim si shumë të rëndësishme për sistemin dhe për të zgjidhur krizën politike. Duhet të vendosim disa garanci përmes ndryshimeve kushtetuese dhe përmes ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Presidenti është institucion garant i Kushtetutës dhe mbi palët që t’i ulë aktorët politik në një tryezë. Të ballafaqohen ide pikërisht përballë presidentit për të gjetur dialog qoftë edhe një marrëveshje të përbashkët”, tha Ndoka.
I pyetur nëse do të pranojnë dialog me kryeministrin Edi Rama, Ndoka deklaroi se është pa sens të thuash se Rama nuk do të jetë pjesë e dialogut.
“Tryezën e organizon Presidenti i Republikës, janë kritere që ai do ti vendosi siç mund ti gjykojë. Padyshim ne duhet të çlirohemi nga komplekset, një nga këto është se Rama nuk mund te jetë pengesë për të marrë pjesë si kryetar i Partisë Socialiste. Nuk e pengon mandati i tij si kryeministër që të marrë pjesë në dialog. Ne nuk e pranojmë që Edi Rama si kryeministër të zhvillojë zgjedhjet por ai detyrimisht nuk mund të dëbohet që të jetë pjesë e dialogut pasi ai është kryetari i PS-së.
Nuk është kërkesë e opozitës që të përzërë fare nga politika Ramën. Gjykojmë që ka ardhur momenti që edhe Rama ta kuptojë se kjo është një aventurë e parealizueshme e tij që të shkojë në zgjedhje i vetëm”.
Lidhur me zgjedhjet e 30 qershorit dhe qëndrimin e tij rreth tyre Ndoka tha: “Nuk ekziston 30 qershori si datë për zhvillimin e zgjedhjeve, nuk ekziston një afat i tillë i keqpërdorur në mënyrë të njëanshme. Jemi në një situatë emergjente të pandodhur më parë. Kryeministri duhet të kthjellohet, siç shihet, e ka në kufijtë e pamundësisë për të hapur një fushatë elektorale dhe këtë e shohim me lëvizjet e tij ku më shumë qytetarë dalin për ti ndaluar takimet e tij se sa marrin pjesë në këto takime të blinduara me polici dhe me gardhe. Takimet ai i realizon me militantët e vet, edhe ata i merr me autobus me vete pasi nuk janë shumica prej tyre nga vendet që ai shkon”, tha Ndoka në Fax News.
Ndoka bëri një deklaratë të papritur kur tha se të dy drejtuesit e partive më të mëdha në vend, Edi Rama dhe Lulzim Basha janë në buzë të humnerës, duke argumentuar se humnera për Bashën është nëse bën hapa pas ndërsa për Ramën nëse vazhdon përpara me hapat që ka nisur.
“Basha e ka quajtur të gabuar marrëveshjen e 17 majit dhe kjo është edhe tendenca jonë, që të mos përsëriten më pazaret politike por të bëhen marrëveshje politike. Nuk është qëllimi ynë që të shpallim kapitullimin e Edi Ramës si kryeministër, por ne shohim pozicionet e dy liderve kryesorë, si Basha si Rama.
Të dy janë një hap larg humnerës, nëse Basha bën hap pas, jemi të vetëdijshëm se kemi dorëzuar mandatet dhe është krijuar një boshllëk i madh, pra është në kufijtë e pamundësisë për të bërë hapa pas. Ndërsa edhe Rama çdo ditë e më shumë po futet në një territor të minuar, ai ka humnerë përpara pasi nëse ecën me këto hapa po e fut sistemin në një luftë artificiale të pashmangshme”.
Ndërkohë sa i përket Samitit të Berlinit të zhvilluar gjatë ditës së sotme ku me ftesë të Presidetnit të Francës, Emmanuel Macron dhe Kancelares së Gjermanisë Angela Merkel morën pjesë edhe liderët e Ballkanit Perëndimor, Ndoka tha: “Rama ka marrë një dush për hir të të vërtetës, Partia Demokristiane e Shqipërisë ka lidhje të ngushta me CDU-në e Merkelit dhe kam informacione se i kanë kërkuar ti japi fund kësaj krize. Është një ndëshkim i drejtpërdrejtë për Ramën pasi është bërë pengesë jo vetëm për shqiptarët por edhe për vendet e rajonit dhe Europës. Thaçi-Rama janë bërë një dyshe problematike për vendet përkatëse, shpresoj që me këtë, ata të bëjnë një reflektim”, deklaroi kreu i PDK-së, aleati i Bashës.
https://www.facebook.com/faxweb.al/videos/851783211841629/
(F.GJ/FAXWEB.AL)