Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi gjatë një deklarate për mediat ka thënë se Lulzim Berisha, Endrit Dokle, Genc Tafili, Ilir Paja, Viktor Ymeri, janë të dënuarit që janë liruar nga burgu në sajë të marrëveshjes që Edi Rama ka me krimin e organizuar.
Sipas Bardhit, të dënuarit për krime të rënda janë angazhuar nga brenda dhe jashtë burgut për të siguruar vota për Partinë Socialiste.
“Askush nuk ka dyshimin më të vogël se lirimi nga burgu i bosëve të krimit të organizuar dhe vrasësve më të rrezikshëm është bërë me dijeninë e Edi Ramës. Shkarkimi i drejtorëve, procedimet e gjyqtarëve apo prokurorëve nuk e zhbëjnë dot faktin se bosët e krimit të organizuar janë jashtë burgut. Lulzim Berisha, Endrit Dokle, Genc Tafili, Ilir Paja, Viktor Ymeri jo vetëm janë jashtë burgut, por kanë dalë me garanci shtetërore, duke u siguruar vende pune. Të gjithë këta kanë punuar brenda dhe jashtë burgut për të bërë vota për Partinë Socialiste, për të mbajtur në pushtet Edi Ramën.
Ata kanë bashkëdrejtuar piramidën shtetërore duke paracaktuar fituesit e tenderave dhe emërime kyçe në administratë. Për këtë ata janë duke u shpërblyer prej Edi Ramës me lirim të paligjshëm nga burgu, si pjesë e marrëveshjes së tij për bashkëqeverisje me krimin e organizuar”.
Akoma më e fortë ka qenë deklarata e zyrtarit të PD-së kur tha se, një tjetër i dënuar po përgatitet të lirohet ndërsa ka pyetur kryeministrin dhe ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonajn se pse nuk informojnë opinionin publik, teksa shton se janë në dijeni të rrethanave.
“Edi Rama dhe Etida Gjonaj duhet t’u shpjegojnë shqiptarëve pse nuk reaguan menjëherë, pasi bosi i krimit Lulzim Berisha u lirua me garanci të Vangjush Dakos? Pse nuk e informojnë opinionin publik se janë në dijeni të plotë që po përgatitet edhe lirimi i bosit të krimit të organizuar Arben Grori” tha Bardhi.
Por është Arben Grori?
Është deklaruar fajtor nga drejtësia Italiane për vrasjen e Naim Zyberit në 6 gusht 1997 në spitalin San Paolo, Milano, vrasësit të vëllait të tij, Artur Grori. Ishte vrasje e paramenduar. Ndërsa në Shqipëri është akuzuar dhe dënuar me 15 vite burg për trafik droge.
Në një intervistë nga qelia rreth dy vite më parë, ndonëse duke qeshur, Grori kujton kohën kur mediat pasqyronin çdo seancë gjyqësore kundër tij, apo çdo deklaratë që ai bënte.
Nga biseda me të kupton se e ndjek situatën jashtë. Tregon me detaje mënyrën se si sipas tij, funksionon media, flet edhe për politikën e djeshme dhe atë të sotmen. Bën krahasimet mes tyre, e duket sikur mes fjalëve do të gjejë fajtorët e vërtetë të gjendjes, ku ndodhet ai dhe familja e tij.
Që në fillim na lajmëron se nuk ka shumë dëshirë të flasë për ngjarjen për të cilën edhe është dënuar, duke shpjeguar, se ajo tashmë është mbyllur në qeli, bashkë me të. Drejtësinë e cilëson të kalbur, të kapur, një sistem për të cilin thotë se nuk ka fuqi të vendosë vet. Grori flet për familjen, marrëdhëniet me fëmijët, mënyrën se si e kalon kohën në burg, luftën që bënë çdo ditë për të shpëtuar nga një sëmundje e rëndë që e ka kapur. Nuk lë pa treguar edhe një nder që drejtuesit e burgjeve i kanë bërë, kur e shoqëruan për dy orë me qëllim për të takuar nënën 70-vjeçare të sëmurë.
Intervista:
Nëse do ktheheshim pas në kohë ç’farë do i thoshe Arben Grorit 20-vjeçar?
Ç’farë do i thosha. Tani, Arben Grori është 46-vjeçar. Janë ca gjëra të tjera që nuk kanë lidhje me 20- vjeçarin. Janë punët e lidhura me shtetin. Në Shqipëri atëherë nuk ka pasur shtet. Nëse do ishte ndryshe, unë nuk do ndodhesha këtu. Në atë kohë punoja gjithë ditën dhe nuk i bija në qafë askujt. Por ç’farë të thuash kur atij 20-vjeçarit i binin në qafë, si individi ashtu dhe qeveria. Unë në atë moshë kam qenë në Gjermani po ç’e do, erdha këtu, pasi jam shqiptar. Kjo është e keqja ime.
Kujt ia vë gishtin dhe thua, ky më solli këtu ku jam?
Ia vë vetes sime. Fajin e kam vetë që erdha këtu. Pse erdha. Unë i kisha mundësitë të jetoja kudo, pasi kisha nënshtetësinë gjermane. Erdha për të jetuar pranë familjes. Pavarësisht se edhe të tjerët mund të kenë faj, kryesori bie mbi mua.
Arben Grori asnjëherë nuk e pranoi vrasjen e Zyberit, por pavarësisht kësaj ndodhet pas hekurave të burgjeve të sigurisë së lartë në vend prej më shumë se 18 vitesh.
Kujtojmë se për vrasjen e Zyberit dhjetorin e kaluar është liruar nga burgu vrasësi i Naim Zyberit të fortit të Tiranës, Gerd Gjenerali, i cili ishte dënuar me burgim për përjetshëm. Lirimi i Gjeneralit është vendosur nga ana e Gjykatës së Korçës, ndërsa kryetar ka qenë Markelian Kuqo.
Gerd Gjenerali u ekstradua në Shqipëri në vitin 2014, ndërsa akuzohet si bashkëpunëtor me Arben Grorin në vrasjen e bujshme të Zyberit. Ende është e paqartë arsyeja mbi të cilën është bazuar gjyqtari për të pranuar lirimin me kusht të të dënuarit përjetë në mungesë.
Gjenerali u dënua me burgim përjetë nga Gjykata për Krimet e Rënda të Milanos, Itali, në vitin 1999, dhe më pas u bë ekstradimi i tij drejt Shqipërisë. Ai u deklarua i fajshëm për veprat penale të “vrasjes me paramendim në rrethana rënduese në dy raste”, “mbajtjes së armëve luftarake”, “prodhimi dhe shitja e lendeve narkotike në formën e organizimit e drejtimit të kësaj veprimtarie” dhe “kryerje e krimeve nga banda e armatosur”. Ky vendim mori formë të prerë në vitin 2001.
Naim Zyberi u vra në spital në Milano
Në fillim të viteve ’90, Naim Zyberi njihej si një nga të fortët e kryeqytetit, rival i fortë i një tjetër emri të njohur në Tiranë gjatë atyre viteve, Gaz Muça. Zyberi u ekzekutua më 6 gusht të vitit 1997 nga tre persona, dy prej të cilëve Arben Grori dhe Gerd Gjenerali.
Naim Zyberi në vitet e para të ’90-s kishte arritur të mblidhte rreth vetes një grup djemsh, të cilët, sipas mënyrës që kishin vetëpërcaktuar, bënin ligjin në lagjet e kryeqytetit. Ai u cilësua si një nga atentatorët e Gaz Muçës, ngjarje për të cilën edhe u arrestua bashkë me Franc Konomin, i cili nuk u mor vesh asnjëherë se si arriti jo vetëm të dilte nga burgu, por edhe t’i shpëtonte deri në vitin 2010 hakmarrjes së djemve të Rrugës Bardhyl.
Pas hapjes së burgjeve në ’97-n, edhe Naim Zyberi si shumë të tjerë arritën të largoheshin nga qelitë duke rifituar lirinë. Por Zyberi nuk do t’i shpëtonte dot hakmarrjes për vrasjet e Artur Grorit dhe të Gaz Muçës.
Ai u ndoq deri në Itali nga vëllai i Grorit, Arbeni dhe atentati i parë iu bë në një bar në Torino, vend ku Naim Zyberi mbeti i plagosur rëndë dhe për këtë arsye, iu desh të qëndronte i shtruar në spital për disa kohë. Madje, për mjekim më të specializuar u dërgua në spitalin e Milanos. Fakti që Zyberi mbeti gjallë nuk bëri që autorët të dorëzohen.
Më datë 6 gusht, Gerd Gjinarari, që mbante një tufe me lule në dorë, brenda të cilës kishte fshehur pistoletën dhe Arben Grori, bashkë me një person tjetër, futen në dhomën e spitalit ku ndodhej Zyberi dhe e qëllojnë aty për vdekje. Por shumë shpejt arrestohen nga policia italiane.
(F.GJ/FAXWEB.AL)