Kryeministri Edi Rama, ishte i pranishëm sot në inspektimin e punimeve në kantierin që është hapur në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza për ndërtimin e parkimit të madh dhe një hapësire multifunksonale me 1400 vende parkimi në ditë.
Kryeministri Rama shoqërohej edhe nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu. Sipas tij, kjo strukturë hotelerie do të jetë në dispozicion për familjarët e pacientëve të shtruar, por dhe për studentë, mjekë e bashkëpunëtorë të jashtëm të qendrës, si dhe një hapësirë për helikopterët e urgjencës mbi tarracën e godinës.
“Kjo vepër e re publike do ta kthejë krejt territorin e QSUT në një hapësirë këmbësore, e do të krijojë kushtet për transformimin e saj në një park të madh me pemë, lule e vepra arti”, theksoi Rama.
Ndërkohë, ministrja e MSHMS u shpreh se ndërtimi i kësaj hapësirë multifunksionale do të lehtësojë çështjen e parkimit në QSUT, ku mesatarisht gjatë një muaji qarkullojnë mbi 120 mijë makina.
“Në QSUNT nuk marrin shërbim vetëm pacientët, por është një nga qendrat universitare e cila shërben edhe për trajnimin dhe rritjen e formimit profesional të studentëve, të ekspertëve dhe mjekëve që trajnojnë dhe formësojnë brezat e rinj të mjekëve. Jemi duke punuar me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për ndërtimi i një godine me nivele multifunksionale e cila do të garantojë që të heqim makinat nga rrugët e brendshme të QSUNT-së”, u shpreh Koçiu.
Për këtë arsye, vijoi ajo, qendra që do të ndërtojmë do të krijojë mundësi jo vetëm për të shtuar kapacitetet e parkimit, por edhe për t’i dyfishuar ato.
“Qendra do të ofrojë afro 1400 vendparkime ndërkohë që do të ketë parkime të dedikuara për personat me aftësi të kufizuara, parkimet me infrastrukturë të dedikuar për makinat të cilat funksionojë me energji dhe janë të karikueshme ndërkohë që krahas kësaj do të ofrojë edhe shërbimit të specializuar në tarracën e godinës për helikopterët për të garantuar edhe shërbimet e urgjencës me cilësi”, u shpreh ministrja Koçiu.
Gjithashtu, Koçiu theksoi se projekti përfshin ndërtimin e një godine akomoduese jo vetëm për pacientët apo familjarët e tyre, por edhe për studentët, mjekët dhe ekspertët që vijnë në QSUNT.
Ministrja tha se do të transformohen edhe sipërfaqet publike brenda QSUNT duke përmirësuar hapësirat e përbashkëta për t’i shndërruar më në një park të madh me pemë, lule dhe vepra arti.
Kryeministri Rama tha se “ky ishte vizioni i nisjes, i gjithë transformimit. Këtu ishte një pazar i madh me rroba, fruta-perime, kinkaleri. Ishte që të arrinim pikërisht këtu dhe kjo faktikisht është një nyje që zgjidhet tani se duke u bërë parkimi i përbashkët në një godinë të përqendruar, duke u shpallur QSUT e gjitha këmbësore dhe asnjë makinë më s’lëviz asgjëkundi në QSUT përveç makinës së urgjencës, gjithë pjesa publike jashtë godinave duhet të transformohet në një park. Kjo është gjëja që duhet të bëjmë! Duhet bërë një investim fundor këtu tani. Gjithë çfarë ka jashtë perimetrit të godinave të lulëzojë edhe me vepra arti përveçse me gjelbërim, edhe me vepra arti dhe kjo do ta përmbyllë procesin”.
Parkimi multifunksional i përbërë nga një kat nëntokë dhe godina 5-katëshe do ndërtohet në një sipërfaqe prej 7047 m2 duke mundësuar mirëmenaxhim të parkimit publik dhe lehtësuar lëvizjen e ambulancave dhe mjeteve të shërbimit, të pacienteve dhe vizitorëve, por edhe lehtësi dhe siguri për akomodimin e familjarëve të pacientëve dhe të gjithë atyre që vizitojnë QSUNT.