Ka nisur konferenca për shtyp e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov. Rama ka shkuar në Moskë në kuadër të kryesimit të presidencës së OSBE-Ohdir.
Lavrov tha se Rusia është e angazhuar në luftën kundër terrorizmit, ndërsa shtoi se mes qëllimeve të Moskës zyrtare është dhe përparimi i dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Por ministri rus nuk foli në asnjë rast për njohjen e Kosovës, por për krijimin e bashkësive serbe.
“Duhet të zhvillojmë një dialog të barabartë. Duhet të vendosim besimin mes shteteve pjesëmarrëse. Kryesia ka përgjegjësi. Ndjemë në dialogun me palën shqiptare se po përpiqen të përmbushin detyrimet dhe të mbajnë një qasje asnjëanëse.
Ne konfirmojmë angazhimin e Rusisë në luftën kundër terrorizimit. Në përvjetorin e luftës së dytë botërore është e rëndësishme t’i japim fund përpjekjeve për të nxitur neonazizmin në Europë. Shqipëria e shikon si përparësinë e saj vendosjen e paqes dhe ne do të mbështesim një gjë të tillë. Kjo është pjesë e misionit të posaçëm në Ukrainë.
Ne folëm me hollësi për Ballkanin. Kemi për qëllim të nxisim dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Ne do donin që çështja e Kosovës të zgjidhet. Palët duhet të gjejnë një marrëveshje dhe ne besojmë se një faktor kyç është zbatimi i vendimit të krijimit të bashkive serbe.
Kemi edhe një angazhim dy palësh. Ka hapësirë për bashkëpunim por është e kufizuar për shkak të sanksioneve. Ne do të vazhdojmë lidhjet humanitare dhe njerëzore me Shqipërisë. Jemi të interesuar për të rritur kuotën e arsimit falas”, u shpreh Lavrov.
Ndërkohë Rama u shpreh se siguria në rajon është e brishtë, dhe ka ende njerëz që vuajnë në kufiftë e mbijetesës, duke iu referuar konflikteve në Ukrainë.
“Siguria në rajonin tonë është mjaft e brishtë. Njerëzit po vuajnë dhe natyrisht duhet të gjejmë motivin për të nxitur dialogun e vazhdueshëm. Ajo që dua të theksoj është se OSBE u krijua 45 vite me parë dhe principet e saj janë paqja dhe siguria.
Rusia është një fuqi e përfshirë në shumë çështje e negociime, shpresoj që do të kontriboj në çështjet e sigurisë. Kam mbetur i shokuar nga ato që pashë në Ukrainë, vuajtjet e njerëzve atje. Në të gjithë atë zonë njerëzit vuanin dhe ishin në kufijtë e mbijetesës”, i tha Rama, Lavrovit, që më pas kërkoi dhe njohjen sa më parë të Kosovës nga Serbia.
”Por dua të them se është shumë e qartë për ne, si kryesi e ne do të përpiqemi deri në fund të mos jemi të përfshirë drejtpërdrejt me çështjen e Kosovës, se në këtë pikë nuk do të kemi asnjë ndikim. Pozita e qeverisë është e qartë, sa më shpejt Serbia të njohë Kosovë, aq më mirë do të jetë për të gjithë ne, dhe për vetë Serbinë”, tha Rama.
Discussion about this post