Mjekja Anika Dokle, e njohur për kritikat e saj thumbuese në drejtim të Ramës dhe qeverisë, ka ironizuar sot Ramën që mori në Francë urdhrin “Komandant i Legjionit të Nderit”.
“Rama dhe Ramushi. Disa gëzojne tituj nderi dhe disa të tjerë luftojnë me nder”,- shkruan në rrjetet sociale Dokle duke krahasur kryeministrin Rama dhe ish-komandantin e UÇK, Ramush Haradinaj.
Në të njëjtën linjë ishte edhe analisti Lutfi Dervishi i cili po ashtu bëri ironi dje duke thënë se komandantët e vërtetë duke nënkuptuar Ramush Haradinajn arrestohen në Francë ndërsa ata që nuk kanë kapur pushkë me dorë shpallen komandantë.
Dekorimi i erdhi surprizë kryeministrit Edi Rama, i cili i emocionuar foli për nderimin që iu bë nga Presidenti francez: “Po e marr veten me vështirësi, pasi nuk e prisja një gjë të tillë. Sigurisht, është mëse e mirëpritur. Ju falënderoj me gjithë zemër juve, dhe gjithashtu edhe zotin President. Nuk e di nëse e meritoj, por është pa dyshim një nder i jashtëzakonshëm për dikë që mbërriti në Francë si një artist, i cili nuk e kishte menduar kurrë se një ditë do të mbërrinte në sallonet e Francës së politikanëve dhe njerëzve të shquar. Dhe marrja e kësaj medaljeje është vërtet një ëndërr. Një ëndërr, në fakt, që ende nuk e kisha parë”.
Ky urdhër është nderimi më i lartë në Francë që prej vitit 1802, kur u krijua nga Napoleon Bonaparti.
(M.D/ Shuplaka)