Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi gjatë takimit me Komitetin Drejtues Kombëtar të LSI-së ka fajsuar kryeministrin Rama dhe qeverisjen e Rilindjes se e minuan procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Duke ju referuar vendimit të marrë nga Hollanda, Kryemadhi tha se tashmë është e qartë që për shkak të ngecjes së integrimit, nuk është fajtore opozita, por mungesa e qeverisë për të luftuar krimin e organizuar, trafikun e drogës dhe korrupsionin.
Deklarata e Kryemadhit:
“ Mirëmbrëma. Në fakt në këto ditë të nxehta të verës, që mesa duket erdhi menjëherë, po i bashkëngjitet edhe situatës politike në të cilën Rilindja dhe kryeministri i ikur kanë vendosur shqiptarët. Në fakt përballë sot ne nuk kemi një politikan, nuk kemi një kryeministër që respekton po themi mbi të gjitha vullnetin e popullit të tij, por kemi një të sëmurë patologjik.
Fatkeqësisht në gjithë historinë e jetës së tij të gjitha gjërat nuk i ka marrë asnjëherë me meritë, nuk i ka marrë asnjëherë me dëshirë, por i ka marrë përkundrejt pagesës, përkundrejt kërcënimit, shantazhit apo edhe blerjes së moralit të çdokujt. Një njeri i cili çdo gjë që e ka arritur, edhe kur ka hyrë në sport, edhe kur ka hyrë në politikë, ka hyrë duke bërë kompromise por jo si rezultat i meritës apo dëshirës së tij, gjë që e kthen atë në një njeri patologjik të sëmundjes së tij. Të gjitha gjërat që i ka realizuar në jetën e tij e që i ka realizuar nëpërmjet pagesave, kërcënimeve dhe shantazheve ashtu sikurse bën edhe sot, ky njeri po merr peng të ardhmen e fëmijëve shqiptarë.
Në fakt ku ishim dhe ku jemi? Rilindja në 2013-n bashkë me votat e LSI-së morën 83 mandate që morën një Shqipëri anëtare të NATO-s, një Shqipëri gati për marrjen e statusit të vendit kandidat, por të mos harrojmë që prej 3 vitesh, nga 2010 – 2013, Partia Socialiste nuk votonte 3 ligjet për marrjen e statusit kandidat për një kryetar qarku të Fierit, sepse votat e anëtarëve të qarkut të Fierit që ishin me LSI-në votuan për një anëtar qarku të dikujt tjetër. As nuk u blenë, as nuk u shantazhuan, as nuk u kërcënuan. Ishte një vendim politik që LSI në 2011-n bashkuan votat me PD-në për të zgjedhur kryetarin e qarkut të Fierit një kandidat të LSI-së. Dhe në qoftë se e mbani mend, ky njeri që sot na përbetohet për integrimin, procesin e liberalizimit të vizave besoj të gjithë e mbani mend se si kërcënonte se si do largoheshin 1 milion shqiptarë nga Shqipëria, prandaj mos liberalizoni vizat. Dhe në fakt në 2013 Rilindja e dhe Edi Rama mori një Shqipëri anëtare të plotë në NATO, me liberalizim vizash dhe me një proces të gatshëm për të marrë statusin kandidat, të cilin vetëm pas votimit me 140 vota në Parlament ku element kryesor kishte LSI-në, e cila bëri të mundur realizimin me konsensus të votimit të Reformës në Drejtësi, jo më larg se 2 muaj Shqipëria merr statusin kandidat me BE. Dhe ky zotëri në më pak se 48 muaj ka shkatërruar të gjithë këtë proces. Shqipërisë do t’i rikthehen vizat. Menduan në fillim sepse vazhduan me atë propagandën e tyre madhështore duke thënë që Holanda e ka thjesht një deklaratë politike, por sot nuk qenka më një deklaratë politike, është një vendim i qeverisë holandeze dhe një propozim që i bën KE-së. Franca ndërkohë ka filluar procesin e saj dhe Zvicra po ashtu.
Pra ky grup kriminal po fillon t’i kthejë shqiptarët në dyert e ambasadave. Pjesa më e madhe e juaj këtu janë të rinj, janë moshë e re, pra 10 vite më parë kanë qenë në moshën 9 vjeç apo 12 vjeç, por të mos harrojmë kalvarin e vuajtjeve që kanë kaluar shqiptarët dhe emigrantët e familjarëve shqiptar në dyert e ambasadave, jo vetëm për të marrë vizë për të shkuar për të parë familjarët e tyre, por duke qenë dhe viktima të trafikut të vizave në bashkëpunim me burokrat të ambasadave të trafikut të vizave apo dhe të krimit të organizuar.
Sot nuk ka ndan më asgjë ky rikthim i këtij procesi. Më pas vijmë në procesin e integrimit europian. Besoj që të gjithë dje e dëgjuam Parlamentin Holandez, Maqedoninë e Veriut, e cila ka qenë grup me Shqipërinë, e ndau për të vazhduar me hapa të sigurtë drejt BE-së, ndërsa Shqipëria në vend numëro. Kur dëgjojmë Ministrin e Jashtëm me të thënë të drejtën mendoja se mos thoshte djegia e mandateve, opozita destruktive, opozitarët e korruptuar, por në fakt nuk dëgjova asnjë nga këto fjalët nga Ministri i Jashtëm Holandez, dëgjova vetëm luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, mungesa e dëshirës së qeverisë për të luftuar krimin e organizuar, trafikun e drogës dhe korrupsionin, pra doli që nuk qenka faji i opozitës për këtë, por na qenka faji i qeverisë”, tha Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.