Edhe pse është një nga ish-deputetët e parë dhe të paktë që iu hoq mandati në sajë të ligjit të dekríminalizimit, Shkëlqim Selami duket se po rigjen hapësirë në Partinë Socialiste. Ish-deputeti i LSI-së për qarkun e Vlorës ka qenë një nga shoqëruesit më të afërt të kryeministrit Edi Rama gjatë vizitës që ky i fundit ka patur prej dy ditësh në qytetin bregdetar.
Nuk dihet nëse Selami ka kaluar zyrtarisht në PS apo nëse do të ketë një rol në fushatën e selisë rozë në Vlorë, por padyshim prania e tij kaq pranë Ramës, lë të kuptosh se ka një marrëveshje paraprake me të.
Mandati i Selamit u hoq nga ana e Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pas pretendimeve të ngritura asokohe nga ana e Partisë Demokratike. Selami akuzohej për fálsifikim dokumentesh, pasi nuk kishte treguar të vërtetën në formularin e vetëdeklarimit, të plotësuar sipas ligjit të dekríminalizimit. Bazuar në përgjigjen e letërporosisë dërguar nga autoritetet italiane, Prokuroria vëren se Shkëlqim Selami është arrestuar në Itali në vitin 2006.
Pak ditë më parë ambasadorja amerikane Yuri Kim iu çoi një mesazh të qartë krerëve të partive politike në vend, ku iu kërkonte të ishin të kujdesshëm në lidhje me personat që do të kandidonin në zgjedhje, në mënyrë që ata të mos ishin të përfshirë në afera korruptive.
Ambasadorja e SHBA iu sugjeroi liderëve vetting të kandidatëve dhe të kualifikohen vetëm ata që respektojnë votuesit.
“Në 22 korrik ne nënvizuam publikisht se liderët e partive politike mbajnë përgjegjësi për kandidatët e tyre. Ndërkohë që partitë tuaja po përgatiten për zgjedhjet e ardhshme, duhet të sigurohemi që ato të bëhen sipas ligjeve të vendit tuaj.
Ne inkurajojnë të gjithë partitë politike të përzgjedhin kandidatët dhe të nominojnë vetëm ata që janë të kualifikuar dhe respektojnë votuesit shqiptarë.
Edhe pse përgjegjësia për të shkuarën kríminale është personale, liderët e partive politike duhet të verifikojnë deklaratat e tyre.
Ligji i dekríminalizimit thotë se individët me rekorde kríminale nuk duhet të mbajnë poste publike , apo të zgjidhen”, thuhet në letrën e Yuri Kim.
Por duket se mesazhi i Kim nuk ka arritur ende në veshin e kreut të qeverisë, ndërsa nuk dihet nëse do të ketë një plan për rikthimin e Selamit në politikë. Mund të jetë edhe thjesht një ndihmë dashamirëse që ai i jep socialistëve të Vlorë, kur na ndan edhe një vit nga mbajtja e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
(E.K/Faxweb.al)