Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj teksa kanë vizituar sot një grup vajzash të cilat jetojnë në konviktet e Qytetit Studenti, kanë gjetur rastin që të sulmojnë Universitetin Bujqësor të Tiranës. Veliaj u shpreh se brenda këtij korpusi ka motele, dhe duhet një reflektim sa më parë.
”Ka motele brenda në kampusin e shkollës, si prind e kap për fyti pedadogun për këtë. Sot kanë mbledhje senati, uroj t’i thërrasin mendjes, pasi plani ynë është vetëm arsimor.
Shoh që ka reflektim nga UBT, do ecim para. Kemi bërë shumë në atë korpus, e gjetëm të pushtuar, për shkak të lidhjeve të politikës”, është shprehur Veliaj, mendimin e të cilit e mbështeti dhe kryeministri Edi Rama.
“Nuk do lejojmë këto forma ilegjitime, kjo që po ndodh me UBT është barbari. S’ka nevojë për karshillëqe dhe kërcënime, nuk mund të pranojmë që të vendoset një ligjësi e re. S’pranojmë ligjësinë e re, kush bërtet më shumë, ne në dhjetor këtu ishim, s’na thanë gjë”, u shpreh Rama.
Ndërkohë si shumë nga takimet e tjera, kryeministri Rama gjeti rastin që të ‘’bënte moral’’ ndaj studentëve, duke thënë se kanë mundësi që të punojnë, në mënyrë që të heqin disa nga shpenzimet e tyre.
Kryebashkiaku Veliaj foli dhe për kartat e studentit, kur tha se kryeministri do ketë në tryezën e tij VKM për kartat e studentit të mërkurën (17 prill).
“Kryeministri ka javën tjetër ka për vendim në tavolinën e vet në mbledhjen e qeverisë VKM për kartën e studentit. Është përgatitur. Kryeministri e ka vënë në rendin e ditës për të mërkurën. Menjëherë sapo të mbarojë mbledhja do bëhet dëgjesa për prezantimin e kartës.
Tashmë këshilli bashkiak i ka aprovuar 40 shërbime, disa janë kinema, teatër, aboneja e studentit. Të 40 shërbimet janë publike. Ndërkohë që kemi filluar të flasim për kartën na janë ofruar dhe kompani private, librari, dyqane për të blerë rroba, që prapë mund të kursehet. Do fusim shërbime private.”-tha ai.
“Brenda muajit që vjen Kryeministri do ketë kënaqësinë t’ju japë kartën e studentit të parëve që aplikojnë. Do mundohemi ti shpërndajmë deri në 21 korrik. Kush nuk është në Tiranë do e marrë në tetor”, shpreh më tej Veliaj.
(E.K/FAXWEB.AL)