Dy godina të reja dhe me standarde europiane i shtohen “Qytetit Studenti” në Tiranë. Kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe ministrja për Arsimin dhe Sportin, Ogerta Manastirliu morën pjesë në ceremoninë e përurimit të konvikteve të reja.
Gjatë ceremonisë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi faktin se ky investim ofron një realitet të ri për studentët. “Më vjen mirë që vazhdojmë subvencionimin e pagesës për studentët. Një dhomë në këto konvikte kushton më pak se 20 lekë në ditë. Pra, sa një kafe dhe një ujë në ditë. Në total është një shumë prej 5500 lekësh në muaj, ndërkohë që në realitet kostoja është shumë më e lartë.
Ne si të majtë besojmë se këtë kosto do e ndajmë bashkë me studentët. Bashkia e Tiranës paguan më shumë se 6000 lekë në muaj, duke përfshirë edhe ujin, dritat, internetin e çdo gjë tjetër, ndërkohë që studentët paguajnë më pak se 200 lekë në ditë, për një ambient që do ta kishte zili çdo hotel me 3-4 yje në Tiranë”, tha Veliaj.
Ai shtoi se Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, kanë bërë politika sociale dhe solidariteti për të gjitha shtresat e shoqërisë, që nga fëmijët, studentët dhe deri te pensionistët.
“Kjo është arsyeja pse iu bashkuam trenit të reformave të qeverisë për pensionet dhe, ashtu siç qeveria dha një bonus për pensionistët dhe do japë edhe një tjetër, Bashkia e Tiranës bëri kontributin e saj nëpërmjet abonesë falas për të gjithë pensionistët. Janë mbi 30 mijë pensionistë që tashmë e kanë tërhequr abonenë. Jemi hapur nga ora 7.00 deri në 19:00 të darkës. Kemi shtuar pikat për këtë muaj dhe më vjen mirë që, në total, për çdo pensionist, kontributi me abonenë falas është 192 mijë lekë në vit”, u shpreh Veliaj.
Një mesazh, kreu i Bashkisë dha edhe për skeptikët: “Për të gjithë ata që ulërasin sot e gjithë ditën dhe që shqetësohen për rininë, do të duhet të krahasojmë ‘Qytetin Studenti’ të tyre me ‘Qytetin Studenti’ që kemi sot. Krahasojmë natën me ditën, krahasojmë mesjetën me kushtet e reja sot, ku praktikisht i njëjti konvikt, ku strehohen të gjithë studentët e huaj të Kolegjit të Evropës, është i njëjti konvikt, të njëjtat kushte, sikundër janë edhe gjithë studentët tanë.”