Në një deklaratë për shtyp Policia e Shtetit ka bërë me dije se janë vënë në pranga 2 shtetas në Tiranë, shtetasit M. K., 44 vjeç dhe D. K., 42 vjeç .
“Dje rreth orës 19:00 të ditës së djeshme janë konstatuar duke lëvizur në këmbë dhe kur punonjësit e Policisë i kanë kërkuar që të identifikoheshin, ata nuk kanë pranuar dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë”, thuhet nw njoftim.
Gjithashtu gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 19 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti.
Po kështu janë ndëshkuar me gjobë 10.000 lekë 166 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.
Në të gjithë vendin janë konstatuar 3 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.
Gjithashtu policia e Shtetit ka sqaruar dhe njëherë se nuk do të lejohet asnjë këmbësor që lëviz pa lejen e marrë nga e-albania.
“Lejohen të qarkullojnë ata shtetas që shkojnë në punë në aktivitetet e lejuara për të vazhduar punën dhe kthehen brenda orës 13:00, si dhe ata punonjës që puna u mbaron në orën 16:00, të cilët duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe vërtetimin e punës nga punëdhënësi”, thuhet në njoftim.