Kreu i opozitës Lulzim Basha ka qenë sërish sot i pranishëm në çadrën e opozitës. Pas ditës së djeshme ku u zhvilluan negociatat dhe nuk u arrit një marrëveshje protesta e opozitës vijon normalisht. Sot kanë qenë të pranishëm qytetarët e Lezhës, të cilët kanë shprehur ptoblematikat e tyre.
‘’Rama dhe Rilindja e tij shkatërruan ekonominë e vendit. Shqiptarët tashmë janë bashkuar dhe të bashkuar do të qëndrojnë deri në fitoren e kauzës sonë të drejtë.
Kauza e shqiptarëve është që burimet natyrore t’i shërbejnë një populli të tërë dhe jo në duart e një grupi njerëzish. Sot kjo kauzë është asgjesuar pasi pushtetin e kontrollojnë Rama dhe oligarkët e tij. Sepse rendin e ka në dorë narkotrafikantët dhe kapot e Ramës.
Rama ka hequr nga skema e ndihmës ekonomike plot 40 mijë familje. Ky pushtet ka humbur çdo lidhje me popullin e vetë, dhe ka humbur çdo përgjegjshmëri. Kjo nuk është paracaktuar as nga burimet natyrore dhe as zoti, po është përcaktuar nga Rama që ble palma 600 euro. Është zgjedhja e Ramës që harxhon për buzëkuqin e Rilindjes më shumë sesa për nevojat e shtresave në nevojë. Paratë e shqiptarëve do të vijojnë të vidhen në rast se kjo betejë nuk përfundon me fitoren tonë të plotë.
Qeveria dhe Kryeministri nuk do të harxhojnë më kurrë 600 euro për palma, nuk do të harxhojnë 600 milionë euro për buzëkuq dhe tualete, ndërkohë që duhet të investohet në infrastrukturë.
Dje Rama e bëri të qartë se është gati të dorëzojë kreu e KQZ-së, ministrat e tij, zyrtarë të policisë, po që nuk është gati të dorëzojë karrigen e tij. Ça problemi ka jep, merr, merr e jep se kështu funksionon pazari i tyre. Peshku është qelbur nga koka. Dhe në këtë pazar duan të bëjnë pjesë edhe PD-në. Kjo është ëndrra e një nate vere e Edi Ramës dhe e Ilir Metës.
Unë dhe aleatët e mi jemi të vendosur të qëndrojmë deri në plotësimin e plotë të kërkesave që populli ka shtruar për zgjedhje. Ne nuk kemi kërkuar poste në tavolinë. Ne kemi kërkuar qëveri teknike, me kryeministër teknik, propozimet le të vijnë nga Partia e tyre por ama me konfirmimin e opozitës. Rama thotë se për katër javë do bëjë kriminalizimin që nuk bëri për 4 vjet, Edi Rama thotë që do zhbëjë drogën që e mbrojti për 4 vjet’’, u shpreh Basha. (E.K/SHUPLAKA)