Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar në lidhje me hetimin e SPAK ndaj tij. Meta u shpreh mbrëmjen e sotme në “TPZ” se për të, të rëndësishme janë vetëm hetimet për Inceneratorët.
Ai u shpreh se Edi Rama është autokrat, por nuk do të arrijë qëllimin që ka ndaj tij. Më tej Meta e cilësoi kryeministrin “një legen që erdhi në politikë si çuni i Netës dhe do ikë si kurbani i Ilir Metës”.
“U uroj suksese në veprimtarinë e tyre. Nuk ka asnjë lloj ndryshimi për ne. Për ne të rëndësishme janë Inceneratorët. Ai është autokrat, unë jam Ilir Meta.
Ta shikojmë diktaturën e tij. Ai është një legen. Ai e di shumë mirë që është një legen. Ai do qajë të vijë ashtu. Ai erdhi në politikë si çuni i Netës dhe do ikë nga politika si kurban i Ilir Metës”, tha Meta.
Ai theksoi po ashtu se asnjë nga këto manovra nuk do ta bëjë që ai të devijojë nga denoncimet e bëra për korrupsionin me djegësat e plehrave.
“Ka një luftë të qartë të mafies me mua dhe unë e bëj me shumë qejf këtë luftë me mafian, as më kërcet fare për ta dhe në radhë të parë me Edi Ramën. Nuk pengoj askënd të bëhet pjesë e këtij enturazhi mafioz të Edi Ramës, dhe të gjithë atyre peng të cilëve është Edi Rama.
Mos kujtoni se Edi Rama është zot i kësaj loje, ai është një instrument dhe do të jetë një viktimë e kësaj loje ku ka hyrë vetë. Ne nuk kemi dashur të hyjë në këtë lojë sepse dëmton veten dhe vendin.
SPAK-u të hetojë ku të dojë, të hetojë në Amerikë, në Zelendën e re në Zimbabve, s’ka asnjë shqetësim. Ne nga këto hetime faktike me vulë dhe me firmë të Edi Ramës do t’i shkojmë deri në fund dhe nuk e shmangin këto përralla mediatike. Të gjitha lojërat që bëhen për të spostuar vëmendjen nga afera e inceneratorëve”-përfundoi Meta.