Kryeministri Edi Rama ka dalë në një komunikim live duke reaguar për takimin e Bashës me biznesin në Durrës dhe mbështetjen e tij për aktivistët e Teatrit Kombëtar. Rama e cilëson të papranueshme sjelljen e tij në këtë situatë kur të gjithë konsiderohen të rrezikuar nga infektimi me koronavirus.
“Jemi akoma në kushtet e rezistencës, unë mendoj se ne do të duhet të jemi në këto kushte dhe të kemi hapje të kombinuar dhe masa edhe për një periudhë, nuk është më faza 1, është faza 2, por në të gjithë botën ka kufizimet e veta. Sot kryeministri i Malit të Zi kishte thirrur një diskutim online, transporti publik dhe turizmi janë dy dilemat e mëdha që kemi. Nuk e imagjinojmë një sezon pa turistë, por duhet të jemi të qartë se nuk do të jetë si vitet e tjera, do të duhet të pranojmë disa kufizime që në kushte normale janë absurde. Nuk mundet që për hir të 15 ditëve plazh të mbushim spitalet dhe të biem në gropë. Nuk mundemi që shkojmë në një rimbyllje totale. Nuk mund ta bëjmë me duart tona absurde ndonjëherë. Është e tmerrshme nga edukata.
Ajo që ndodhi me kryetarin e PD-së në Durrës dhe mbrëmë në të ashtuquajturin shesh të mbrojtjes së identitetit kulturor është përtej çdo lloj konceptimi që të ndodhë. Ka një ligj dhe janë të gjithë gjërat me ligj njëlloj për të gjithë, që do të funksionojnë edhe për kryetarin e PD-së dhe të gjithë. Këtu problemi është çfarë pasojash mund të kemi nga këto grumbullime dhe sjellje të papërgjegjshme, prandaj mos merreni shembullin e kryetarit të PD-së. Mund të jeni në simpati të plotë me temat, por në asnjë mënyrë me sjelljen e tij në çdo aspekt. Nuk e bën kërkush në botë, një person që ka përgjegjësi publike” tha Rama.