Dosja e Sigurimit të Shtetit për shkrimtarin e njohur, Martin Camaj është hapur pas akuzave të ngritura nga disa studiues se shkrimtari ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit në kohën e diktaturës komuniste.
Lajmin e bën të ditur kryeministri Edi Rama, i cili teksa publikon video-live nga Pallati i Brigadave, ku po hapet dosja e Camajt, thekson se hapja e dosjes nuk i ndryshon parametrat ekonomikë të vendit.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh: “Për mua është nder të marr pjesë në një tjetër varrim sot këtu, në varrimin e shpifjeve që Martin Camaj mori, jo më nga ata që i privuan atdheun, por nga ata që nuk e lanë as në botën tjetër të qetë.
Sipas tyre, edhe unë jam bashkëpunëtor, përderisa kam në shtëpi një vëllim të librave të Camajt me dedikimin e tij, ku ka dhe një firmë që me mendjen e mbrapshtë të ‘studiuesve’ është firma e një subjekti 2A dhe unë jam kontakt i këtij subjekti.
Kjo që bëhet sot është përtej autoritetit të dosjeve. Është një skamë që nuk e ka pirë kupën e helmit, që e refuzon kupën e helmit dhe që mund të kishte bërë një pakt që shumë kush e ka argumentuar si të pashmangshëm në egërsinë e diktaturës dhe pa firmën e subjektit 2A.
Sot jam shumë i lumtur që pas kaq shumë vitesh, kur si mallkim e ka ndjekur hija e persekutorëve të vet, jo me duart por me marshat e mllefit që ka mediokriteti, u arrit që të bëhet dritë sepse i takon Autoritetit dhe të gjithë atyre që janë të pranishëm dhe kanë kontribuar në këtë drejtim. E vetmja gjë që shoh si pjesë të kontributit tim është mbështetja për ngritjen e Autoritetit të Dosjeve. Kam qenë i terrorizuar se për shkak të këtyre shkurtabiqëve të pangushëllueshëm që hapën një temë, bëjnë një promovim, gjejnë një sponsor që shet sallam apo kikirikë.
E dimë shumë mirë çfarë spekulimi është bërë për arratisjen e tij. Martin Camaj, për të mos çuar në burg dy shokë të tij që i kërkonte sigurimi, i informoi para se të arratisej dhe i dha shansin që të iknin dhe ata. Ky është pakti i dosjes, nuk është as një faqe e një studimi, as poezi, është fakt.”
Disa kohë më parë, Auron Tare hapi debat me deklaratën e tij pasi u shpreh se Martin Camaj dhe Ernest Koliqi kanë bashkëpunuar me Shërbimin Informativ të Shtetit, ndërsa kjo sipas tij është e provuar nga dokumentet që ka zbuluar nga CIA. Sipas Tares, pseudonimi i Camajt ishin “Bregu i Kuq”.