Kreu i qeverisë Edi Rama, teksa ndodhet në Vjenë për të marrë kryesimin e OSBE-së është pyetur nga gazetarët dhe për paketën antishpifje që ka kaluar në Dhjetorin e kaluar në Kuvend.
Pasi e kemi dëgjuar ta thotë në shqip, Rama nuk u kursye të deklaronte dhe në anglisht se kishte marrë 100% mbështetjen e OSBE-së për këtë projektligj, pavarësisht se të gjithë jemi dëshmitarë të deklaratave të bëra vazhdimisht nga përfaqësuesi i OSBE për Lirinë e Medias, Harlem Désir, i cili jo më larg se dje deklaroi se ka ende disa pika që duhet të ndryshohen nga ana e qeverisë shqiptare.
Duke përfituar ndoshta dhe nga mungesa e informacionit të plotë nga ana e gazetarit që drejtoi pyetjen, Rama e devijoi vëmendjen nga antishpifja në drejtim të gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale, që sipas tij duhet të luftohet.
“Informacioni juaj nuk është i update-uar, ne kemi punuar me OSBE-në për një kohë të gjatë, dhe kemi qartësuar pasaktësitë e vogla, dhe ju po i referoheni një kritike që po bëhej gjatë diskutimeve të ligjit në Komisione.
Ligji që shkoi në parlament është 100% në bazë të rekomandimeve të OSBE-së, në mënyrë që të gjendet zgjidhje për ato që po përjetohet në median online, jo vetëm në vendin tonë po në të gjithë botën”, u shpreh garant Rama, që preferoi ta zhvendoste vëmendjen dhe nga fenomeni i Fake News që është ende një temë e nxehtë në çdo vend të botës, edhe te ato me demokraci të konsoliduar.
Por çfarë deklaroi dje Harlem Désir:
“Për ligjin kundër shpifjes së miratuar nga qeveria shqiptare fundvitin e kaluar, kemi dhënë mbështetjen tonë me disa amendamente. Sot kemi diskutuar për lirinë e medias, për ta garantuar atë. Ajo duhet të respektohet.
Do t’i kërkojmë qeverisë hartimin e një akti nënligjor për paketën anti-shpifje që gjobat ndaj mediave që shkelin ligjin, të jenë proporcionale.
Në rishikimet e bëra nuk janë përmbushur kriteret që ka vendosur OSBE. Përsa i përket AMA-s, ndryshimet e fundit duket se kanë sjellë një reflektim të kërkesave të OSBE, por ajo duhet të sigurojë që të jetë një organ i pavarur, përndryshe do të humbasë besueshmërinë e saj”.
Ky projektligj u kundërshtua ashpër dhe nga gazetarët dhe aktivistët në vendin tonë, por pavarësisht protestave të tyre, qeveria nuk u tërhoq, duke e kaluar për votim në Kuvend.
Tashmë projektligji pritet tëkthehet sërish në Kuvend nga ana e presidentit Meta, dhe më pas do të shihet nëse Rama dhe qeveria e tij do të reflektojnë, për të bërë këto ndryshime të deklaruara dje dhe nga Desir.
Më herët po ky përfaqësues i OSBE-së do të shprehej edhe më kritik me qeverinë shqiptare, ku kërkonte që mediat të vetërregulloheshin pa qenë e nevojshme një ndërhyrje nga institucione që zgjidhen nga politika si AMA apo AKEP. (Lexo te plote ketu)
Një fjalim brilant në mbrojtje të lirisë së mesdias, e ka pasur dhe Daniel Koski, i ngarkuari me punë i ambasadës së SHBA në Tiranë, i cili u bëri thirrje shqiptarëve që mos të kthehen kurrë në një vend ku mungon fjala e lirë.
Në një kohë kur në Kuvend ishte miratuar “Anti-Shpifje”, i dërguari i ambasadës së SHBA-së nënvizoi se diktatorët kërkojnë të shtypin zërat kritikë dhe se ato mund të mbijetojnë vetëm nëse mohojnë fjalën e lirë të popullit të tyre.
“Kur ato e privojnë shoqërinë e tyre nga oksigjeni që është fjala e lirë, demokracia vuan dhe kalbet.”– u shpreh zyrtari amerikan. (lexo edhe ketu)
(E.K/Faxweb.al)