Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, hekurudha Tiranë – Durrës është drejt përfundimit dhe ndërkohë janë një sërë projektesh të tjera që janë pjesë e mandatit të katërt.
Në rubrikën “Sy m’ sy”, ku i përgjigjet live pyetjeve të adresuara në platformat sociale, Rama u shpreh se, “hekurudha Tiranë – Durrës është drejt përfundimit dhe ndërkohë që janë një sërë projektesh të tjera që janë pjesë e mandatit të katërt”.
Sepse, theksoi Rama, gjërat bëhen me radhë.
“A ju kujtohet si ka qenë rruga nga aeroporti në Tiranë apo e keni harruar? A e mbani mend si ka qenë rruga nga aeroporti në Tiranë? Nuk kishim rrugë për të shkuar në aeroport. Çfarë më diskutoni tani hekurudha, ne s’kishim rrugë të shkonim në aeroport, ne e kishim buxhetin gropë. Kompanitë ishin, rrinin me një këmbë si gjysmagjela se nuk i kishte paguar më qeveria për kontratat. Qindra miliona euro borxhe. Çfarë po më thua tani nuk bëtë një tren”, tha Rama.
“Ne hekurudhat i kemi nisur dhe do t’i bëjmë sepse kemi marrë edhe financime nga Evropa nga bankat evropiane për këtë punë. Por duhet të futemi në BE që të kemi një buxhet ekstra. 1 miliardë e ca euro kemi marrë ne nga BE-ja mbështetje në këto vite, 90% kredi. Nëse futemi në BE kemi 1 miliardë çdo vit dhe është 90% grant, jo kredi. Pra granit është para’ që janë për ty dhe nuk ke asnjë borxh që t’i kthesh”, tha Rama.