Kryeministri Edi Rama i është bashkuar sot aktivitetit të organizuar nga Lëvizja Rinore për Integrim (LRI) në Jalë, ku janë mbledhur rreth 400 të rinj nga e gjithë bota.
Gjatë fjalës së tij, Rama falenderoi organizatorët e këtij aktiviteti, pavarësisht se i përkasin një grupi tjetër politik dhe jo PS-së.
“Jam shumë i lumtur që janë mbledhur këtu të rinj, në këtë organizim, të rinj jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga e gjithë bota mora vesh. Falenderoj organizatorët për këtë.
Kanë sjellë mundësi të reja për t’u njohur me njëri tjetrin, më e rëndësishmja për të lidhur kontakte dhe krijuar mundësi të tjera ndërveprimi mes jush.
Më vjen mirë që më jepet mundësia të vij këtu të them disa gjëra. Jam i bindur se për ata jashtë mund të kenë kuriozitet, se ata që janë këtu nuk i ka marrë malli për mua, ndaj më mirë t’i kushtojmë më shumë rëndësi bashkëbisedimit sesa mua.
Ky është një moment që ia vlen të flitet për politikën, si gjëja që shihet nga larg, në distancë, si diçka e keqe, por duhet parë si një forcë që ka lindur për të bashkuar njerëzit sëbashku dhe për t’u dhënë atyre mundësinë që të bëjnë gjëra që veç e veç nuk i bëjnë dot. “, është shprehur sot Rama.
Kujtojmë se ky aktivitet është mbështetur edhe nga të rinjtë e FRESSH që ndodheshin gjithashtu pranë Ramës, gjatë ditës së sotme.
(D.D/Shuplaka)