Nga Andi Bushati
Ditët e fundit vendi është kapluar nga një debat artistiko – politik, nëse ka gënjyer apo jo Edi Rama për mbërritjen e koncertit të famshëm të Vienës, në 2 janarin e ardhshëm në Tiranë. Opinioni është ndarë në dy grupe të mëdha: në ata që këmbëngulin se Edi Rama ka gënjyer dhe në ata që pretendojnë se ai nuk ka përdorur asnjë term të gabuar për të propoganduar atë që nuk është.
Më një shqyrtim të vëmendëshëm, Lapsi.al, i ka dhënë një përgjigje kësaj dileme duke arritur në konkluzionin se megjithëse nuk ka përdorur terma mashtrues, tek kryeministri është vënë re një tentativë e qartë për manipulim (shiko shkrimin poshtë).
Por, pavarësisht kësaj, pavarësisht atyre që hezitojnë të kalojnë në filigran, një për një, fjalët dhe shprehjet e kryeministrit, ka një mënyrë më efikase për të kuptuar atë që ka ndodhur realisht.
Nëse dikush do të ndriçohet, është më mirë të kërkojë në historinë e afërt dhe të largët të Edi Ramës.
A nuk qe ai që menjëherë pas emocioneve që u dhuroi shqiptarëve shkuarja e kombëtares së futbollit në Francë, nxitoi të gënjente paturpësisht duke thënë se qe ai dizenjuesi i bluzës së veçantë të kuqezijve? A nuk qe ai që, spao hyri në kryeministri, vuri mbi seli atë markizën aq shumë të diskutuar dhe kërpudhën anash saj? A nuk qe ai që para vizitës së Anxhela Merkelit në Tiranë e ktheu kryeministrinë në një pinakotekë? A nuk është ai që mundohet të shoqërojë të gjithë udhëtimet zyrtare jashtë me ndonjë ekspozitë apo promovim libri?
Pikërisht e gjithë kjo përpjekje sendërzohet në deklaratën e paturpshme që bëri pak kohë më parë, në një intervistë, ministrja e tij e Ekonomisë. Pa asnjë kompleks servilizmi, ajo deklaroi se Edi Rama është brand-I, më i mirë i Shqipërisë në botë.
Dhe kjo deklaratë nuk është krejtësisht e pafajshme.
Fatkeqësisht filozofia e Ramës është e njohur. Që kur ishte kryebashkiak i Tiranës ai provokoi debatin e madh për ngjyrat e fasadave. Qëllimi qe i qartë: tërheqja e vëmendjes në një betejë estetike, ndërkohë që qyteti betonizohej, ndërkohë që zabtohej çdo park dhe oborr shkolle, për ti rrjepur para biznesit të ndërtimit.
Edhe tani fabula është e njëjtë. Kryeministri i vendit të krimbur nga droga, shefi i koncesioneve marramendëse në shëndetësi, udhëheqësi i një grupi parlamentar të mbushur me kriminelë, do ti shitet shqiptarëve si artist.
Paradoksi i Edi Ramës është pikërisht ky: ai i kërkon vota shqiptarëve për ti qeverisur dhe pastaj tenton ti gënjejë ata duke bojatisur.
Eshtë vështirë të ndash me thikë, nëse ky lloj të vepruari është vetëm një strategji për të krijuar një imazh mashtrues të problemeve reale me të cilat ndeshet kryeministri shqiptar, apo nëse në të kundërt, e gjitha kjo është pjesë e një deliri të tejskajshëm që do të imponojë talentin artistik përmes ushtrimit të pushtetit.
Mund të jenë edhe nga pak të dyja bashkë.
Por pavarësisht nga ky raport, shumë nga lëvizjet e Edi Ramës nuk mund të shkëputen nga mania e tij për tu shitur si një personazh përtej politikës.
Prandaj edhe debati për gënjeshtrën ose jo me Koncertin e Vienës nuk mund të gjykohet jashtë këtij sfondi.
Natyrisht, Edi Rama nuk e shpiku atë vetëm për të fashitur 160 mijë eurot që qeveria e tij do kalojë në llogarinë e shoqatës së Shkëlzen Dolit. Ai nuk e shpiku as vetëm për delirin e tij prej politikani të ndriçuar.
Ai është diçka në mes: një shtetar abuziv, po aq sa dhe një artist i mbetur në tentativë. Dhe ky dyzim prodhon shpesh manipulime. Si ai i shndërrimit të Tiranës në një kryeqytet të valsit botëror.
*Botuar për Lapsi.al