Kreu i qeverisë Edi Rama ka mbledhur sot të gjithë deputetët dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 25 Qershorit.
Ai ka dhënë direktiva të qarta se para 1 Gushtit nuk do të ketë asnjë ditë pushimi për të zgjedhurit pa u bërë një analizë e qartë për situatën.
Rama tha se qeveria do të jetë njëngjyrëshe pavarësisht se tha që dorën do ta shtrijë për bashkëpunim për hir të reformave të mëdha që i duhen vendit.
“Marrëveshja jonë e 18 Majit do të mbetet një busull orientimi, po ndërkohë që konkurrentët tanë do të jenë të fokusuar në zgjedhjet e tyre të brendshme. Strukturat e qeverisë së re do të shpallen vetëm pas një procesi reflektimi.
Të nisim menjëherë një tur dëgjimor me komunitetet zonë për zonë. Askush prej jush nuk do të shkojë për pushime para 1 gushtit, asnjë prej jush nuk është marrë me zor në këtë parti, pavarësisht se jeni lodhur mjaft kohët e fundit.
Do të jetë një qeveri njëngjyrëshe, por do të jetë një koalicion i madh me qytetarët. Kjo është një sprove heroike për ne dhe kërkon këmbëngulje, së pari për të nxjerrë në dritë gabimet tona dhe më pas të bëjmë të mundur dhe korrigjimet.
Jemi të gjithë dakord që Parlamenti i kaluar ishte një turp, vetëm Reformat që janë votuar janë një justifikim për ekzistencën e tij. Për të tjerët nuk di çtë them, po ne që jemi votuar duhet të jemi shembulli që seancat parlamentare të mos jenë të mjera.
Sidomos tani që drejtimin e Kuvendit do ta kemi vetë. Zyrat elektorale do të funksionojnë si zyra qarqesh me deputetët e zgjedhur. Gjykimi i anëtarësisë duhet të bëhet për të gjithë të zgjedhurit.
Në këtë tur duhet të ketë një angazhim maksimal për të kuptuar problemet. Në 25 Qershor nuk e morëm të gjithë tepsinë për vete, por për ta çuar tepsinë për skrap. Larg qoftë që të abuzojmë me misionin që na është besuar”, deklaroi Rama.(E.K/SHUPLAKA)