Kryeministri Edi Rama i ka premtuar sot Gazment Bardhit se do të shkojë në interpelancën e thirrur prej tij, pasi të ketë dalë përfundimi i hetimeve të SPAK-ut për trafikantin e drogës, që ai ka zbuluar në familjen e tij, duke iu referuar akuzave për vëllain e tij Olsi Rama.
Rama shkruan se “nëse im vëlla del trafikant nuk do të kem si të shkoj, përkundrazi, nuk do të jem më jo vetëm as kryeministër, po as person publik hiçfare”.
Madje ai shkon më tej teksa deklaron se “kam muaj që pret të vërtetën nga SPAK-u dhe nuk do lodhet së prituri, përpara se sa të bëj njërën nga të dyja”. “O të tërhiqem nga politika përgjithnjë, o të paraqitem në interpelancat e Gazmendit dhe pastaj shohim e bëjmë si vete kjo mesele më tutje, në sy të shqiptarëve e në rrugën e mëtejshme të drejtësisë, ku o do gjykohet im vëlla, o do gjykohet Gazmend Bardhi!”, shkruan Rama.
PJESË NGA POSTIMI I RAMËS
Megjithatë, unë do t’i shkoj në çdo interpelancë Gazmend Bardhit, por vetëm pasi të ketë dalë përfundimi i hetimeve të SPAK-ut për trafikantin e drogës, që ai ka zbuluar në familjen time dhe vetëm nëse Olsi Rama nuk del siç pretendon ky zotëria që vetëm zotëri nuk është. Sepse nëse im vëlla del trafikant nuk do të kem si të shkoj, përkundrazi, nuk do të jem më jo vetëm as kryeministër, po as person publik hiçfare. Por pa u zgjidhur e zbardhur plotësisht nga drejtësia kjo çështje, unë nuk kam sy e faqe të përballem me zbuluesin që pretendon me zë shumë të lartë, se ka hedhur dritë jo vetëm mbi aktivitetin kriminal të vëllait tim, po edhe mbi përfshirjen time kriminale në fshehjen e “personit të paidentifikuar, 45 vjeç, me kapele”, i cili sipas Gazmendit na qenka Olsi Rama dhe unë, duke abuzuar me detyrën dhe madje shpërblyer dy prokurorët e dosjes së laboratorit të drogës në Xibrakë, ia paskam fshehur drejtësisë.
Kam muaj e muaj që pres të vërtetën nga SPAK-u, ku Gazmend Bardhi shkon shpesh për të luftuar korrupsionin e kriminelët e qeverisë sime dhe nuk do lodhem së prituri, përpara se sa të bëj njërën nga të dyja. O të tërhiqem nga politika përgjithnjë, o të paraqitem në interpelancat e Gazmendit dhe pastaj shohim e bëjmë si vete kjo mesele më tutje, në sy të shqiptarëve e në rrugën e mëtejshme të drejtësisë, ku o do gjykohet im vëlla, o do gjykohet Gazmend Bardhi!