Vetëm disa ditë më parë kryeministri Edi Rama duke dëgjuar qytetarin shkodran Maxhid Alibalin i dha një urdhër drejtorit ALUIZNI-t në Shkodër që çështja e qytetarit të zgjidhej deri të nesërmen në orën 16:00.
“Drejtor, këtë problem duhet ta zgjidhni nesër”. Ky ishte ultimatumi që Kryeministri Edi Rama i dha drejtorit të ALUIZNI-t në Shkodër.
Por sipas “Panorama” edhe pse kaloi ora 16:00 e 25 korrikut qytetarit Maxhid Alibali nuk i është zgjidhur problemi i tij.
Alibali, i cili është pronar i një pallati 5-katësh në Shkodër që kërkon lejen e legalizimit thotë se është pritur me arrogancë nga drejtori Tonin Marku në Shkodër.
“Djalë, ajo që kërkon ti nuk bëhet. Arsyeja është se s’dua ta bëj”, tregon qytetari se ka marë përgjigje nga drejtori i ALUIZNI-t në Shkodër pasi i ka shkuar në zyrën e tij.
INTERVISTA:
Alibali, a u zgjidh problemi juaj në lidhje me lejen e legalizimit, për të cilën morët edhe premtim publikisht nga Kryeministri?
Prisja një telefonatë nga drejtori i ALUIZNI-t në Shkodër, meqenëse ata i kanë kontaktet e mia. Nuk më kontaktuan. Në këtë mënyrë u detyrova të shkoj te drejtoria. Ai nuk kishte vullnetin për të më pritur, por pas afro një ore pas derës, arrita ta takoj drejtorin në zyrën e tij.
Çfarë ju tha drejtori i ALUIZNI-t?
Drejtori ma tha troç: “Djalë, ajo që kërkon ti nuk bëhet. Arsyeja është se s’dua ta bëj”. Kaq më tha drejtori. Më tha se nuk ta bëj, sepse ke hedhur Hipotekën dhe ALUIZNI-n në gjyq. Kjo është e vërtetë i thashë, sepse kur kam marrë lejen nga ALUIZNI, nuk ishte ajo leje që unë kërkoja dhe nuk isha i qartë dhe isha i detyruar për ta dërguar çështjen në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër, për të kapur afatet ligjore të ankimimit. I thashë që unë po e tërheq atë padi dhe të sjell dokumentin, meqenëse Kryeministri më dha fjalën që do të zgjidhet. Unë, tha drejtori, nuk e bëj. Ma preu shkurt.
Si qëndron problemi me ndërtesën që kërkoni të legalizoni?
Për objektin që bëhet fjalë kam pasur një leje nga Bashkia Shkodër për dy kate social-ekonomik dhe dy kate kombinim. Unë kam bërë dy kate pa leje dhe iu drejtova ALUIZNI-t. Ky institucion ma aprovoi për të legalizuar edhe katin pa leje, por nuk e di si ndodhi dhe ndoshta gabimisht nuk më është dhënë sipas dosjes që kam dorëzuar. E gjithë ndërtesa 5- katëshe më është përcaktuar si objekt social-ekonomik, ndërkohë që dy katet e para janë njësi tregtare dhe 3 të tjera për banim. Kam kërkuar të korrigjohet leja, gjë e cila nuk ka ndodhur.
Keni pasur takim tjetër me Kryeministrin Edi Rama?
E kam takuar dy herë Kryeministrin Rama, por ishte edhe më ndryshe kur më premtoi në sytë e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Duke parë që drejtori i ALUIZNI-t nuk e ka vullnetin e mirë, atëherë u detyrova të dal në media. Dua ta bëj të qartë se fjala e Kryeministrit nuk ka shkuar në vend. Drejtori s’më priti mirë dhe kjo është fatkeqësi. Është i detyruar të zbatojë ligjet e shtetit. Nuk e kupton, sepse aq është aftësia e tij. Nuk mund të them se ka dalë më i fortë se Kryeministri ky drejtor, por ndoshta e ka mbaruar ciklin dhe ka qejf të punojë në profesionin e tij si avokat. Kryeministri është mbi të gjithë dhe kam shpresë se çështja ime do të zgjidhet sepse e kam mbajtur fjalën në të gjithë Shqipërinë në dëgjesat publike të zhvilluara.
(J.V/Shuplaka)
Discussion about this post