Ish-kryeministri dhe kryedemokrati Sali Berisha thotë se shkak i mos hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE-në, nuk është vetëm vetoja e Bullgarisë, por edhe sepse disa vende të tjera të Bashkimit Europian nuk janë dakord.
Në një konferencë për shtyp nga selia blu, Berisha tha se Shqipëria nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet, e këtu kryedemokrati përmend lirinë e qytetarëve, votën e lirë dhe lirinë e mediave.
“Shkaqet themelore nuk është Bullgaria, por siç ja tha vetë padroni i tij Vuçiç, janë disa vende të BE të cilat nuk janë dakord me hapjen e negociatave me Shqipërinë. Nuk janë dakord sepse Shqipëria nuk ka plotësuar kushtet e vendosura nga BE, përkundrazi Shqipëria në drejtim të lirive të qytetarëve të saj, votës së lirë dhe mediave, ka shënuar rrokullisje të mëdha.
Nuk është vetoja e Bullgarisë për Shqipërinë, por është regresi i demokracisë në Shqipëri dhe mosplotësimi i kushteve nga qeveria e Edi Ramës, së fundmi grabitja e mandatit të 3 me të cilin rrahte gjoksin në Bruksel, rrokullisja në lirinë e mediave, evidentimi i lidhjeve të tmerrshme me bandat në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë.
Një shkak tjetër madhor i refuzimit të hapjes së negociatave dhe mosveçimit nga Maqedonia lidhet me faktin e paprecedentë në historinë e Brukselit. Në qoftë se ju lexoni të gjitha deklaratat para dhe gjatë samitit të Edi Ramës, ato faktojnë se ky zotëri shkoi në Bruksel jo si përfaqësues i Shqipërisë, por si vasal i Aleksandër Vuçiç dhe u soll atje sikur të ishte Dodik, President i Republikës serbe të Bosnjes, dhe jo Kryeministër i Shqipërisë”, tha Berisha.