Kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku inspektuan sot rrugën Ndroq-Plepa, projekt i cili është në fazën e parë të rehabilitimit dhe konsiderohet si një vepër e rëndësishme jo vetëm nga ana infrastrukturore, por edhe për zhvillimin ekonomik, bujqësor dhe agroturistik që po merr zona.
Pjesë e investimit është dhe rindërtimi i Urës së Beshirit, e cila do të eliminojë të gjitha kthesat duke rritur sigurinë rrugore.
Kryeministri vlerësoi se ky është një nga akset e shumëkërkuara të cilit i erdhi radha të ndërtohet.
“Ky do të jetë një aks me profil turistik edhe për shkak të gjithë territorit, ku kanë filluar të lindin agroturizmet. Ne besojmë shumë se zhvillimi i agroturizmit do të jetë shumë pozitiv edhe për ekonominë e kryeqytetit, edhe për ekonominë familjare këtu, pasi është një zonë që do të përfitojë shumë nga rritja e prodhimit dhe nga flukset që shkojnë drejt Tiranës dhe Durrësit”, shtoi Rama.
Balluku informoi se rruga ka një gjatësi prej rreth 25 kilometrash, ndërkohë që aktualisht po punohet në fazën e parë, nga tri që janë gjithsej.
“Ka përfunduar pjesa më e vështirë, është infrastruktura nëntokësore. Na është dashur të punojmë si me OSHEE-në, dhe me ujësjellës kanalizimet e bashkisë së Tiranës për të bërë gjithë forcimin e kësaj rruge”, tha ajo.
Duke folur për parametrat teknikë, Balluku bëri të ditur se tashmë nga një rrugë rurale, kjo kthehet në një rrugë të kategorisë C.
“Kurora e gjithë bankinës është 12,5 metra me dy ndarjet e korsive nga 2,75 metra duke e çuar në kategorinë C dhe duke na dhënë ne mundësinë për të pasur një rrugë me shpejtësi nga 50 deri në 100 km/orë”, tha Balluku.
Balluku theksoi se në zonën e urës së Beshirit ndërtohet një urë totalisht e re duke eliminuar kështu edhe kthesat e ngushta që ka në atë pjesë.
“Ura ndërtohet me projektin e Bankës Botërore për urat, ku këtë vit kemi edhe urën e Viroit dhe urën e Vjosës. Për shkak të ecurisë së mirë që kanë pasur punimet, ne pretendojmë ta mbyllim brenda muajit dhjetor fazën e parë të rrugës, ndërsa me buxhetin e vitit 2026 kemi parashikuar edhe dy fazat e tjera, 15 kilometra në total”, shtoi ajo.
Sipas Ballukut, ky është nga të vetmit kantierë në të cilin vazhdon trafiku, edhe pse punohet.
“Ka shqetësime për sa i përket kësaj rruge. Ecuria është shumë e mirë, është 30% e volumit. Kompania punon dhe ne kemi trafikun që nuk mund ta ndalojmë se nuk ka një rrugë paralele. Mendojmë ta mbarojmë para afatit. Afati është mars 2026, synimi ynë është ta mbarojmë para natës së Vitit të Ri (dhjetor 2025) këtë fazë të parë”, shtoi Balluku.
Balluku nënvizoi se rruga krijon një alternativë me autostradën Tiranë-Durrës, ku po ecet pa penguar trafikun me dy bankinat anësore.
“Kjo rrugë do të ndihmojë edhe gjithë pjesën e trafikut. Autostrada Tiranë-Durrës do të marrë më shumë kohë meqë shkojmë fazë pas faze, ndërkohë kjo rrugë do të mbarojë më shpejt”, sqaroi ajo.