Kryeministri Edi Rama, shkoi për të inauguruar bashkë me ministrin e Rindërtimit shkollën “Kajo Karafili” në Shijak, të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Gjatë vizitës së tij, kryeministri Rama nuk i kurseu as “thumbat” edhe ndaj protestuesve, të cilët dolën në tubim për 6 ditë me radhë për vrasjen e Klodian Rashës nga efektivi i policisë. Në momentin kur një nxënëse i bëri dhuratë një lule në shenjë mirënjohje, kreu i qeverisë tha me ironi se do ta mbillte tek Kryeministria që ta shkulnin përsëri, duke iu referuar protestuesve që rrëzuan pemën tek kryeministria.
Më poshtë dialogu i Ramës me një nxënëse të shkollës “Kajo Karafili”.
Nxënësja: Është një dhuratë nga shkolla jonë për punën.
Edi Rama: Qenka me vazo?!
Nxënësja: Po
Edi Rama: Faleminderit shumë. Do ta mbjellim diku te Kryeministria të vijnë ta shkulin.
Ndërsa më pas takoi edhe drejtoreshën e shkollës, të cilës i kërkoi që të rrinte pranë tij pa emocione, pavarësisht gjërave që mund të kishte dëgjuar për të.
“Drejtoreshë hajde, mos ki frikë nga çfarë nuk ke dëgjuar për mua. (*sheh një flamur gjerman) E keni qejf këtë flamurin gjerman ju shijakësit, jeni me Gjermaninë ju?!,”-shtoi kryeministri. Ndërsa si në çdo shkollë që ka shkuar për inspektime, ka vendosur që të gjuajë një kosh basketbolli edhe në Shijak. Aty kreu i qeverisë spikati një talent duke i sugjeruar që të vazhdonte rrugën e sportit.
“Ti ke talent. Ti duhet të luash basketboll se ke talent. Ka talent. Edhe ajo por ka emocione shumë,”-shtoi Rama.
(E.G/Faxnews.al)