Kryeministri Edi Rama ka ndaluar në Itali pas vizitës së tij në Ukrahinë si kryesues i OSBE-së, ndërsa është pritur nga ministri i jashtëm italian Luigi Di Maio dhe kryeministri Giuseppe Conte.
Sipas njoftimit zyrtar nga kryeministria, kreu i kabinetit shqiptar pritet të diskutojë me homologun e tij italian detajet mbi Konferencën e Donatorëve që do të mbahet në shkurt në Bruksel, në ndihmë të shtetit shqiptar, pas shkatërrimeve masive të tërmetit të 26 nëntorit.
Ndërsa Di Maio e shoqëron Ramën drejt zyrës ku do të mbahet takimi, ky i fundit ka zbardhur dhe faturën e dëmeve të shkaktuara në vend, faturë e cila ende nuk është bërë e ditur për publikun shqiptar, ndërsa qeveria ka rreth 1 muaj që ‘premton’ se do të konkludojë në një shifër të saktë.
“Raporti do të jetë gati në pak ditë por deri tani është përllogaritur rreth një miliard (nënkuptohet euro)“, shprehet Rama.
Një shifër e cila duket se ka ‘trembur’ dhe ministrin italian:
“Një miliard?! Shumë. Por unë kam besim se në Konferencën e Donatorëve do ta gjejmë një zgjidhje“, shprehet ai ndërsa vetë Rama pohon se për këtë çështje do të diskutojë dhe me homologun e tij.
Tërmeti i 26 nëntorit, me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter shkatërroi qindra banesa, ndërsa vdiqën 51 persona. Mijëra banesa e pallate të tjera janë kthyer në të pabanueshme apo të dëmtuara rëndë, ndërsa që prej fundnëntorit tragjik qeveria shqiptare ende nuk ka një bilanc të saktë se sa është fatura financiare e këtyre dëmeve. Mijëra banorë janë të pastrehë aktualisht, ndërsa më shumë se kaq janë ende të pasigurt nëse çatia që kanë mbi kokë është e sigurt.