Kryeministri Edi Rama ka qenë së fundmi i pranishëm në takimin e zhvilluar mbi programin e bazuar mbi partneritetin publik-privat, që sipas tij do të ketë një sërë përfitimesh për shtetin.
“Shuplaka” raportoi këtë mëngjes se dhënien e koncesioneve masive me vlerë 1 miliard euro në 5 muajt në vijim nga qeveria Rama.
Sipas Kryeministrit, projektet në fjalë do të zhvillohen në bashkëpunim me sipërmarrjen dhe bankat në vend, duke shtuar kapital nëpërmjet investimeve private.
“Ky program është përgatitur duke dialoguar qoftë me bankat, sipërmarrjen, ekspertë vendas dhe të huaj për sisteme të ngjashme financimi të infrastrukturës publike. Ka një listë projektesh, një pjesë e tyre ne i disponojmë, një pjesë tjetër duhen konceptuar dhe duhen hartuar. Bazohen mbi një listë prioritare. Synojmë që me këtë program të adresojmë disa probleme të rëndësishme të infrastrukturës rrugore nacionale, të zonave turistike.”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh më tej se në sajë të këtij programi synohet rritje e ndjeshme e ekonomisë, që do të sjellë një tjetër impakt.
“Do të sigurojë të ardhura të reja për buxhetin e shtetit si pasojë e detyrimeve që do të vilen nga këto projekte dhe do të bëjë të mundur ambicien e madhe të ditës së parë. Nuk po ekzagjeroj në projeksionet e arsyeshme të specialistëve tanë. Ajo që mbetet e rëndësishme dhe e sigurtë për sa më takon, është të kalojmë një rritje mbi 5% që do të ketë një impakt shumë më të ndjeshëm që do t’i japë një impuls tjetër.”, shtoi Rama.
Sakaq, sipas kryeministrit, rëndësia e këtij projekti lidhet me faktin se nuk do të shtojë borxhin,.
Në bazë të prioriteteve të qeverisë, sipërmarrjet do të hartojnë projektet. Dy vitet e para, sipërmarrjet do të financojnë vetë projektin dhe pas vitit të tretë, qeveria do të fillojë të shlyejë detyrimet.
Megjithatë, Nikolin Jaka nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, tha për revistën “Monitor” se pavarësisht se e mirëpresin këtë projekt, çfarë ngelet për të diskutuar me kujdes është se sa fleksibël dhe si do të jetë marrëdhënia e sipërmarrjes me sistemin bankar.
“Gjithsesi shpresojmë që sistemi bankar të jetë më fleksibël. Duhet të dimë se cilat janë prioritetet e qeverisë që sipërmarrja të bëjë projektet bazuar mbi to”, ka shtuar Jaka.
Gjithsesi, Rama tha se qeveria e ka bërë gati listën e prioriteteve dhe u shpreh se do të vihet në dispozicion të bankave.
Por, sipas Alban Zusit nga Shoqata e Eksportuesve, prioritet duhet të jetë dhe investimi në shërbimet e munguara në vend.
“Prioritet duhet të jetë dhe investimi në shërbimet e munguara në vend në mënyrë që të kanalizohen investimet dhe burimet financiare të biznesit, të cilat në ekonominë tonë duhet thënë se janë të kufizuara. Vlerësojmë shumë të rëndësishme prioritetin e dhënë ndaj arsimit dhe shëndetësisë, por i duhet dhënë prioritet dhe bujqësisë. Duhet përmirësuar infrastruktura në bujqësi, kjo do të jetë shumë e rëndësishme. Konsideroj shumë të rëndësishme që PPP të futet dhe në shërbimet e munguara, siç është fusha e sigurisë ushqimore ku 60% e produkteve shqiptare janë paeksportueshme për shkak se mungon ky shërbim.”, u shpreh Zusi. (D.D/Shuplaka)