Ndërkohë që në Tiranë ishin mbledhur qytetarë nga e gjithë Shqipëria për të protestuar krah opozitës, kryeministri Rama ka marrë rrugën drejt qytetit të Vlorës.
Mirëpo pavarësisht kësaj ai reagoi për protestën përmes Facebook-ut, duke deklaruar se bulevardi i dukej i zbrazët. Por Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha nuk ia lë mangët.
Edhe ky përmes një postimi në Facebook, i kthehen përgjigje kryeministrit me ironi. “Me qe nuk paska njerez si shpjegohet qe “trimi” zhduket sa here ka proteste?”, shkruan Shkëlzen Berisha.
Në një status në profilin e tij në Facebook, Rama shkruante sot pas përfundimit të protestës, se pamja në Bulevardin Dëshmorët e Kombit e trishtoi, pasi sipas tij, pjesëmarrja e qytetarëve vërtetoi se PD është kthyer në një fantazëm politike.
“Pamja gjysëm e zbrazët e bulevardit sot, më trishtoi edhe mua, jo më ju! Më trishtoi sepse, pavarësisht se jam kundërshtar natyral i PD-së, nuk ndjehem aspak mirë që një parti e madhe shqiptare, është katandisur sot në një fantazëm të jetës sonë politike, në arratinë e saj prej zgjedhjeve për parlamentin e ri.
Më trishtoi sepse, pavarësisht se as e kam votuar e as kam për ta votuar ndonjëherë PD-në, nuk ndjehem aspak mirë që votuesit e saj kanë mbetur sot jetimë të një republike fantazëm. E cila u premtohet, si oazi i një jete ku rafsha mos u vrafsha, ku të gjitha problemet e kësaj toke, janë të zgjidhura si me magji. Më trishtoi sepse, nuk arrij dot as ta imagjinoj, se si një grusht njerëzish, më saktë dy burra, njëri i tmerruar nga drejtësia e tjetri i lemerisur nga zgjedhjet, ta asgjesojnë një forcë historike si PD-ja, për interesat e tyre krejt vetjake.”, shkruante Rama. (D.D/Shuplaka)