Kryeministri Rama duket se është kthyer i zhgënjyer nga Samiti i Sofjes, ku tha se axhenda e vendeve të BE-së nuk përkon me dëshirën e integrimit të vendit tonë.
Rama tha se çelja e negociatave nuk është më në dorën e qeverisë, pasi ai ka bërë gjithçka për ti bindur vendet anëtare.
Sipas Ramës vetë vendet anëtare të BE-së tashmë janë në një fazë të vështirë për ridimensionimin e familjes së madhe europiane.
Deklarata:
Nuk ishte një samit për temën që ne na intereson në mënyrë të veçantë, po ishte e pashmangshme që të mos diskutohej dhe për çeljen e negociatave.
Patëm dy raste të rëndësishme qoftë në mbledhjen e liderve, qoftë në drekën që e pasoi. Rasti i parë me një axhendë formale, dhe rasti i dytë edhe më i favorshëm.
Është e qartë dhe nuk është sekret, dhe nuk ishte nevoja që të shkonim në Sofje për të mësuar se axhenda jonë nuk përkon me atë të vendeve të BE-së, ose të themi përkon pak.
Axhenda e tyre është shumë kaotike, dhe ka pak qartësi sesi do të shkohet në këtë rrugë. BE është në kulmin e një debate të brendshëm dhe nuk përkon me qëllimin tonë. Ishte mundësi që ne e shfrytëzuam maksimalisht.
(E.K/FAXWEB.AL)