Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Kuvend ka spikatur për tërheqjen e tij nga vendimi që qytetarët të paguajnë për kalimin në Rrugën e Kombit.
Ata që dje i quajti ‘vandalë’ sot Rama i etiketoi si njerëz të shqetësuar por që janë përdorur keq nga politika.
Kryeministri ka thënë se qeveria nuk ka për të vendosur tarifë pa negociuar fillimisht me banorët dhe pa u gjetur një zgjidhje.
Rama ka theksuar se ai dhe qeveria e tij, i kanë kërkuar falje dhe do t’ju kërkojnë sërish qytetarëve shqiptarë.
Rama ka thënë se qeveria ishte e papërgatitur, por është nisur nga një qëllim i mirë marrë shkas nga praktikat e shteteve të tjera.
“Opozita e ka humbur rrugën dhe kërkon të tërheqë sa më shumë njerëz në rrugën e saj pa krye. Nuk kemi bërë sa duhet, jo sepse kemi qenë indiferentë apo kemi lënë me vetëdije në harresë impaktin negativ që ka shkaktuar kështu siç është paraqitur dhe është manipuluar vendosja e pagesës në shpirtrat dhe mendjet e atyre që jetojnë në atë zonë.
U kam kërkuar ndjesë publike banorëve të zonës, por jemi nisur thjesht nga praktika ndërkombëtare dhe duke qenë një eksperiencë e parë dhe nuk kemi qenë të përgatitur sa duhet. Ne nuk do fillojmë sistemin e pagesës pa dhënë zgjidhjen më të mirë të mundshme për atë zonë”– tha Rama.
(F.G/Faxweb.al)