Në mbledhjen e qeverisë mëngjesin e sotëm, kryeministri Edi Rama njoftoi dhe trajtimin e posaçëm financiar, për të gjithë personat e prekur nga tërmeti, dhe që humbën familjarët e tyre në këto ditë të vështira. Rama tha se ka filluar sistemimi i këtyre familjeve në shtëpi të reja, dhe maksimumi në datën 15 Dhjetor do të bëhet stabilizimi i tyre i plotë.
“Sot miratojmë dy projektvendime si fillim për një trajtim të posacëm financiar lidhur me fatkeqët më të mëdhenj në këtë histori që kanë nevojë për një ndihmë me karakter të përhershëm, për të gjithë jetën. Si rezultat tragjedisë që u ka shkatërruar familjen dhe për ata që janë në moshë të thyer dhe përvec pensionit të tyre duhet të ndihmohen me një trajtim plus sa tetëfishi i pensionit social dhe i barabartë me pensionin e posaçëm që në masën më të lartë shkon në 60 mijë lekë të reja.
Atëherë lista që përfitojnë nga 100; Lindita Cara, e cila përfiton 100 mijë lekë në muaj, për Albert Carën gjithë jetën trajtim të vecantë financiar për Albert 100 mijë lekë, Aleks Çupi po ashtu, Albert Lala 100 mijë lekë, Denisa Greku 100 mijë lekë në muaj, Marjana Rexhepi 100 mijë lekë të reja në muaj, Femi Vata 100 mijë lekë të reja në muaj, Pranvera Qato dhe më pas trajtim plus pensionit prej 60 mijë lekë në muaj për ata që janë më të moshuarit në këto familje të shpartalluara nga tërmeti, që duhet t’u qëndrojmë pranë jo vetëm me ndihmë financiare, por edhe morale.
Mbrëmë kemi filluar sistemimin e tyre në shtëpi të reja, për të cilat familjet duhet të përfundojë brenda 15 dhjetorit maksimumi. Falenderoj Danjën që po kujdeset personalisht për sistemimin e tyre”, tha Rama në mbledhje.
Ndërkohë që një tjetër lajm që dha Rama mëngjesin e sotëm, është krijimi i agjensisë Franceze të Zhvillimit që do të ndihmojnë në rimëkëmbjen e zonave të prekura nga tërmeti.
“Kemi kërkuar nga Franca një ndryshim dhe për këtë arsye duhet të miratojmë sot në parim një marrëveshje që qeveria e Shqipërisë mund të firmosë me Francën në mënyrë që në Shqipëri të themelohet dhe të ushtrojë aktivitetin Agjencia Franceze e Zhvillimit, e njohur për kapacitet financiare dhe për veprimtarinë e saj në funksion të mbështetjes dhe zhvillimit.
Presidenti i Francës është i angazhuar personalisht për t’i dhënë një shtysë të fortë në funksion të rritjes së bashkëpunimit në kuadër të programit për investim, tani me fokus emergjent situatën post katastrofë. Natyrisht që kjo shkon përtej kësaj situate, por të gjitha këto mjete, që deri kur të jenë shëruar plagët e mëdha do të adresohen në këtë drejtim.
Është konfirmuar edhe një adresim i imi në konferencën e rajonit lindor, që Presidenti i Turqisë ka adresuar duke kërkuar solidaritet maksimal edhe nga sipërmarrja e pranishme në atë konferencë që zhvillohet cdo vit, por që do të ketë një sesion të vecantë për tërmetin në Shqipëri”, tha Rama.