Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë të veçantë në Kalabri, i shoqëruar nga kryebashkiakët e Durrësit dhe Shkodrës, Emiriana Sako e Benet Beci, si dhe bashkëshortja Linda Rama me djalin Zaho, në Eparkinë tonë të Ungrës, zonë që ruan me krenari rrënjët dhe identitetin shqiptar.
Gjatë vizitës Rama u mirëprit nga Imzot Donato Oliverio, i cili në gjuhën shqipe tha se me ardhjen e tij sot është “një ditë e lumtur për të gjithë arbëreshët sepse u kujton lidhjen me nënën Shqipëri.”
“Mirëse na erdhe kryeministër i Shqipërisë Edi Rama në Eparkinë tonë të Ungrës, arbëresh-bizantino në Kalabri. Ardhja juaj është një ditë e lumtur për të gjithë arbëreshët sepse na kujton lidhjen me nënën Shqipëri. Mirëse erdhe zoti kryeministër në shtëpinë e Zotit që mbanë gjallë historinë dhe besimin e një populli unik si populli arbëresh në tokën kalabreze. Mirëseerdhe në Emparki, që sot është institucioni i vetëm arbëresh që ka bota arbëreshe në Italinë kontinentale”– tha Imzot Donato Oliverio.